E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria thotë se për veriun vlen vetëm Pakoja e Ahtisaarit

Prishtinë, 13 gusht – Ekzekutivi kosovar vlerëson se Pakoja e Ahtisaarit u jep serbëve më shumë të drejta se minoriteve kudo në Evropë, shkruan sot gazeta Koha Ditore. 
Qeveria e Kosovës e ka ripërsëritur përkushtimin e vet për zbatimin e Pakos së Ahtisaarit, duke përjashtuar mundësinë e aranzhimeve të reja për veriun e vendit, qoftë edhe sikur ato të Tirolit Jugor.
Një ditë pasi “Koha Ditore” ka raportuar se modeli i Tirolit Jugor është duke u parë si model i mundshëm edhe për veriun e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, nuk kanë dashur që ta zënë ngoje modelin e provincës italiane, duke thënë se për veriun dhe për të gjithë Kosovën vlen vetëm Pakoja e ish-presidentit Ahtisaari.
“Për veriun e Mitrovicës, i vetmi dokument si për gjithë Kosovën, është dokumenti i presidentit Ahtisaari”, ka thënë kryeministri Thaçi, në hapjen e mbledhjes së rregullt të Qeverisë, duke mos komentuar më shumë.
Zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi, ka thënë se Kosova nuk do ta rrezikojë funksionalitetin e saj shtetëror.
“Qeveria e Kosovës ka marrë për obligim që të respektojë Pakon e presidentit Ahtisaari, e kemi inkorporuar atë në Kushtetutë dhe në ligje. Ka qenë një kompromis i madh, kompromis që ka ruajtur bilancin etnik dhe shtrirjen gjeografike të pushteteve në Kosovë. Nëse këto dy balance prishen, atëherë është problem që të funksionojë shteti në mënyrë normale. Ky është koncesioni më i madh që kemi mundur ta bëjmë”, ka thënë Kuçi.
I pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse modeli i Tirolit Jugor për të cilin ka folur publikisht edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, do të zbatohet në veri, Kuçi ka thënë se Pakoja e Ahtisaarit ofron çdo të drejtë për minoritetin serb. 
“Unë mendoj se Kushtetuta e Kosovës dhe Pakoja e presidentit Ahtisaari ofron më shumë të drejta për serbët se sa që kanë minoritetet në cilindo vend anëtar të Bashkimit Evropian”, ka thënë Kuçi. (Tekstin e plotë mund ta lexoni në botimin e sotëm të Kohës Ditore)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›