Qeveria u heq makinat dhe shoferët deputetëve, zv.ministrave, drejtorëve dhe krerëve të bashkive
adi shkembi
Qeveria vendos t’u heqë makinat dhe shoferët zyrtarëve të lartë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua projektligji i propozuar nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, “për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë”. Në bazë të këtij projektligji, hierarkia shtetërore ndahet në katër kategori, ku e para është ajo e krerëve të shtetit dhe e katërta është kategoria e nëpunësve të ulët të administratës. Në draft është përcaktuar që 18 zyrtarët më të lartë (tabela 1) të kenë makinë dhe shofer gjatë aktivitetit të tyre zyrtar. Ndërkohë vetëm Presidenti, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri, mund të përdorin makinat zyrtare edhe gjatë fundjavave jo për qëllime pune. “Funksionarët e lartë nuk kanë të drejtën e përdorimit të mjeteve për qëllime që nuk lidhen me funksionin apo detyrën që ushtrojnë. Përjashtohen nga ky kufizim, Presidenti, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri”, thuhet në nenin 3 të projektligjit. Për sa i përket funksionarëve të tjerë të lartë, që përfshihen në kategorinë e parë, ata do të duhet të depozitojnë në fillim të vitit një shumë prej 50 mijë lekësh të reja pranë institucionit ku punojnë, për ta përdorur makinën me targë Z edhe gjatë fundjavave. Këtu përfitojnë edhe kryetari i maxhorancës, kryetari i opozitës dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Kategoria e dytë (tabela 2 dhe 3) janë deputetët, zv.ministrat, kryetarët e bashkive, Prefektët, krerët e Enteve si dhe funksionarët e lartë të sistemit gjyqësor. Sipas projektligjit, ata do të kenë makinat personale, nuk do të kenë shoferë që paguhen nga buxheti i shtetit, por do tu akordohet një bonos që varion nga 45 mijë lekë për deputetët, deri në 30 mijë lekë për Avokatin e Shtetit për t’i përdorur sipas vlerësimit të tyre. “Kategoria e tretë, ku përfshihen funksionarë të nivelit drejtor i përgjithshëm/ titullar institucioni, që nuk përfshihen në kategorinë e parë dhe të dytë, të cilët marrin një përfitim financiar mujor, në përputhje me veprimtarinë e tyre, por jo më shumë se 20 mijë lekë në muaj”, thuhet në projektligj. Ndërsa në kategorinë e katërt përfshihen të gjithë punonjësit e tjerë të administratës, të cilët do të përdorin automjetet e institucioneve ku punojnë për shërbimet e punës. “Automjetet e tepërta në dispozicion të ministrive, institucioneve qendrore dhe të vartësisë, transferohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit për tu shitur me ankand ku e drejta e parablerjes do të jetë për funksionarët që do të trajtohen me alokacion mujor për këtë shërbim”, thuhet në relacion.
Bode
Ministri i Financave shpjegon në relacion se institucionet qendrore kanë 374 makina dhe 280 shoferë, ndërsa numri i automjeteve në institucionet rajonale është rreth 3 mijë. Duke iu referuar të dhënave të paplota (pasi disa ministri nuk i kanë paraqitur) shpenzimet e vitit 2008 për automjetet kanë qenë 3.2 miliard lekë dhe kostoja e një makine ka qenë nga 80 mijë deri në 150 mijë lekë. Sipas këtij projektligji, numri i makinave me shofer do të reduktohet në 30 dhe efekti financiar sipas skemës së re është 228.6 milionë lekë. Numri i zyrtarëve përfitues gjithsej do të jetë 450. Kosto financiare për çdo përfitues do të jetë 42 mijë lekë në muaj, nga 1.5 milionë lekë që ka qenë sipas skemës fillestare.
Statusi i deputetit, tarifën e cakton Kuvendi
Megjithëse në mbledhjen e djeshme të qeverisë është përcaktuar bonusi që do të përfitojnë deputetët lidhur me transportin, statusi i deputetit ia jep këtë të drejtë Kuvendit. Në ligjin që rregullon marrëdhëniet e deputetit me Parlamentin dhe që ndryshohet vetëm me 84 vota, në nenin 14 të tij thotë se “Deputeti ka të drejtë të pajiset me automjete nga Kuvendi. Shpenzimet për transport (shofer, karburant, shërbime teknike) përballohen nga Kuvendi, sipas kuotave te përcaktuara në vendimin e Kuvendit”. Ndryshimi në statusin e deputetit është bërë në vitin 2002. Në këtë ligj thuhet se deputeti që shkon me shërbim jashtë shtetit nga Kuvendi përfiton diete ditore, sipas akteve te miratuara nga Kuvendi. Në rastet kur ai caktohet të marrë pjesë në delegacionet qeveritare ose të institucioneve të tjera, shpenzimet mbulohen nga institucioni që e ka ftuar, duke përfituar dietën sipas akteve të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
trajtimi i zyrtareve te larte
Tabela 1
Funksionet që do të kenë mjete transporti në dispozicion
1. Presidenti
2. Kryetar Kuvendi
3. Nënkryetar Kuvendi
4. Kryeministër
5. Zv.kryeministër
6. Ministër
7. Prokuror i Përgjithshëm
8. Avokati i popullit
9. Kryetari i SHISH
10. Kryetari i Kontrollit të Shtetit
11. Kryetar i Gjykatës Kushtetuese
12. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
13. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë
14. Kryetari i partisë së maxhorancës dhe më të madhe të opozitës
15. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit
16. Kryetari i Gjykatës së Lartë
17. Kryetari i gjykatës së krimeve të rënda
18. Guvernatori i Bankës
Tabela 2
Funksionet që përfitojnë bonos
Posti bonusi (lekë/në muaj)
1. Deputet 45.000
2. Kryetar i Bashkisë Qendër Qarku 45.000
3. Kryetar i Autoritetit Mbikëqyrës F. 35.000
4. Kryetar i Komisionit të Konkurrencës 35.000
5. Kryetar i Kom. Mbrojtjes të dhënave personale 35.000
6. Kryetar i KSHC 35.000
7. Kryetar i KKRT 35.000
8. Kryetar i ERT 35.000
9. Kryetar i ERE 35.000
10. Kryetar i Entit Rreg. Ujërave të ndotura 35.000
11. Kryetar i ILDKP 35.000
12. Kryetar i KQZ 35.000
13. Kryetar i Akademisë së Shkencave 35.000
14. Rektorët e Universiteteve 35.000
15. Zv.kryetar i KLD 35.000
16. Kryetar i Këshillit të Qarkut 35.000
17. Gjyqtarët e gjykatës së lartë dhe gjyk. Kushtetuese 35.000
18. Kryetar i gjykatës së shkallës I, Apelit, Krimet e Rënda 35.000
19. Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës I,
Apelit, Krimeve të rënda 35.000
20. Kryetar Bashkie 30.000
21. Avokat i Prokurimeve Publike 30.000
22. Avokati i Shtetit 30.000
Tabela 3
Funksionet që përfitojnë bonos
Posti bonusi (lekë/ në muaj)
1. Zv.ministër 35.000
2. Sekretar i përgj. në Presidencë/ Parlament/ Kryeministri 35.000
3. Drejtor i Kabinetit në Presidencë/Parlament/Kryeministri 35.000
4. Këshilltarët në Presidencë/ Parlament/ Kryeministri 35.000
5. Gjeneral lejtnant dhe gjeneral major 35.000
6. Komandant i FA tokësore, detare, ajrore 35.000
7. Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve 35.000
8. Komandant Garde 35.000
9. Titullar i ZRRPP 35.000
10. Kryetar i AKKP 35.000
11. Kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve 35.000
12. Drejtor i Përgjithshëm i Doganave 35.000
13. Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve 35.000
14. Titullar i zyrës qendrore të ALUIZNI 35.000
15. Gjeneral Brigade 30.000
16. Prefekt 30.000
17. Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile 30.000
18. Drejtues i Policisë së Qarkut 30.000
19. Drejtues i SHISH i Qarkut 30.000
20. Drejtor i Përgjithshëm i ISSH 30.000
21. Drejtor i Përgjithshëm i ISKSH 30.000
22. Drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve 30.000
23. Drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve 30.000
24. Drejtor i Ujësjellësit 30.000