TIA: Përse mbështesim Bienalen
Vjeshta i solli Tiranës dy ngjarje të mëdha kulturore, edicionin e katërt të Bienales së Tiranës dhe "Tetorin gjerman". Këto aktivitete, të cilat sjellin në kryeqytetin shqiptar dhjetëra artistë nga vende të ndryshme të botës, kanë gjetur edhe mbështetjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), e cila ka ofruar një shumë prej 6.000 eurosh për organizimin e tyre. Edicioni i katërt i Bienales së Tiranës sjell në Tiranë 60 artistë dhe tema të mëdha diskutimi. Duke parë me një këndvështrim kritik zhvillimet e qytetit të Tiranës - urbanizimin e menjëhershëm dhe investimin e shpejtë të kapitaleve - edicioni i këtij viti kalon kufijtë e artit vizual për të prekur fushat e arkitekturës dhe të proceseve të urbanizimit. Nga ana tjetër, "Tetori gjerman" rikujton ngjarjen e rënies së Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989. Rënia e Murit të Berlinit simbolizon në mënyrë figurative fundin e regjimeve komuniste në Evropën Lindore dhe Juglindore. "Aktivitetet të cilat ne po mbështesim janë brenda kontekstit të shkëmbimit kulturor. Edhe pse arti në shkallë vendi mbase nuk qëndron në krye të listës kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik, gjithsesi ai përfaqëson një pjesë të rëndësishme të ndërgjegjësimit kulturor. Në këndvështrimin tim, përmirësimi i perceptimit të artit dhe kulturës në vend është një çështje mjaft e rëndësishme dhe shkaku i mbështetjes që ne po i japim fushës së kulturës", thotë Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s, Andrea Gebbeken.