Qeveria vendos të përgjysmojë taksën e makinave të përdorura

Kryeministri Berisha shtroi sot për zgjidhje, në mbledhjen e qeverisë, disa nga shqetësimet e problematikat e shprehura gjatë bashkëbisedimeve me grupe interesi dhe qytetarë.
Kryeministri Berisha udhëzoi ministrin e Punëve Publike dhe Transportit që në bashkëpunim me ministrin e Financave t’i përgatisë aktin ligjor për përgjysmimin e taksës për makinat e përdorura. Kjo, tha Kryeministri, është shqetësim i shprehur nga shumë qytetarë dhe njëkohësisht i jep zgjidhje një padrejtësie, që penalizon ata që nuk e kanë mundësinë e pasjes së një makine të re.
Pas disa takimeve me fermerë, Kryeministri kërkoi nga ministri i Bujqësisë trajtimin e disa problemeve të parashtruara nga fermerët, si subvencioni i fermerëve për serat mbi bazën e vlerësimit të prodhimit, sigurimi i energjisë elektrike për stallat në zonat larg qendrave të banuara, rishikimi i regjistrit të vlerës për tokën bujqësore, i procedurave të regjistrimit të tokës bujqësore.
Ndërsa pas shqyrtimit që i është bërë problematikës dhe sugjerimeve të bëra në takimin me operatorët turistikë, Kryeministri njoftoi heqjen e tarifës prej 10 eurosh për çdo vizitor që vjen në Shqipëri me charter, si dhe nisjen së shpejti të projektit për thellimin e kanalit prej 4 kilometrash të ankorimit të anijeve në portin e Durrësit. Sikundër Ministria e Financave do të shqyrtojë çështjen e TVSH-së së hoteleve.
Kryeministri i kërkoi ministrit të Kulturës sjelljen në qeveri të ligjit për statusin e artistëve.
“Edhe në këtë mbledhje, i pari është qytetari. Ndaj po e nis me disa udhëzime që adresojnë shqetësime të qytetarëve shqiptarë, në disa raste adresojnë edhe pabarazi të krijuara për arsye të ndryshme, adresojnë problematika të lidhura me moskonceptimin e duhur të zhvillimeve.
Zoti ministër i Punëve Publike dhe Transportit, bashkë me ministrinë e Financave, duhet të sillni në qeveri aktin për përgjysmimin e taksës së makinave të përdorura, pasi është krijuar një problem serioz nga përpjekja që ne bëmë. Ju garantoj se kam shqyrtuar të gjitha taksat e vendeve të tjera dhe nuk kam gjetur të bëhet një pabarazi e tillës as në vendet e Bashkimit Europian dhe as në vende të tjera. Taksa e makinave të përdorura do të përgjysmohet. Siç janë futur koeficientet, do të pjesëtohen për dy. Mjedisi mbrohet nga karburanti dhe ne kemi ndaluar D2, pra, jemi vend që nuk djegim D2. Ne i tejkalojmë edhe normat europiane, kemi një mani të vrapojnë e t’u dalim objektiva që BE do t’i arrijë pas 10 vitesh. Ndalimi i D2 është një vendim shumë i mirë, por nuk mund të penalizojmë qytetarët, sepse del që ai që ka ndihmohet dhe ai që nuk ka ndëshkohet. Kjo nuk mund të pranohet.
Zoti Ministër i Bujqësisë, ju ishit dje në takimin me fermerët, të cilët ngritën një seri problemesh,jo personale, edhe pse mund të kishin një pikënisje personale dhe kjo është normale, por ato ishin absolutisht sugjerime me interes të madh, tërësor, për bujqësinë e sektorin, disa prej tyre edhe rajonale. Për shembull, një nga fermerët shtroi problemin se e zgjerimit të fermat, por ligji për 10 përqindëshin i penalizon dhe ia bën të pamundur. Ndaj për tokën bujqësore ai ligj nuk duhet të ketë efekt. Ne nuk mundtë pengojmë krijimin e fermave dhe ky ligj e pengon, i rrit koston. Të krijosh një fermë do të thotë të përgatitesh përveç fondeve, edhe lumenj djerse, që këta që rrinë në Sheraton e Rogner nuk e dinë se është një heroizëm i vërtetë, një punë e jashtëzakonshme. Bashkë me ministrinë e Financave, ky ligj duhet të marrë fund për tokën bujqësore.
Gjithashtu, zoti ministër i Bujqësisë duhet të fshihet nga fjalori toka që quhet pa fryt. Përveç shkëmbinjve nuk ka gjë pa fryt, madje edhe shkëmbinjtë kanë, por e kanë inorganik.
Ne kemi bërë një regjistër të vlerës së tokës, por për tokën bujqësore do të ketë standard tjetër.
Ne u kemi dhënë kryetarëve të komunave, të gjithë autoritetin për territorin, por fermerët kanë një shprehur një problem me zyrën e regjistrimit të pasurive. Zoti ministër i Drejtësisë duhet të bëjmë gjithçka që të mos ketë asnjë pengesë në tregun e tokës. Kjo çështje duhet të studiohet bashkë me Ministrinë e Bujqësisë dhe të bëjmë ndërhyrjen ligjore për t’i dhënë përgjigje. Veçanërisht tani që po ecim drejt regjistrit dixhital, të gjitha mundësitë krijohen. Ata thanë se duam të bashkojnë sipërfaqet, por nuk e bënin dot, pasi nuk i lejonte hipoteka dhe burokracia. Ndaj të shihet ky qëndron problemi.
Zoti ministër i Bujqësisë, ju u njohët me mendimin e mençur të tyre se subvencionin për serat e naftës t’u jepet për prodhimin dhe unë shpreha vlerësimin më të madh. Ata janë njerëz që prodhojnë dhe forma më e ndershme, më nxitëse e më e pastër është të vlerësosh prodhimin. Ndaj të shihet ku mund të në mund të jetë vendim, akt nënligjor a ligjor dhe të ndërhyjmë e në kalojmë në këtë formë.
Zoti zëvendëskryeministër, del një tjetër problem me stallat, të cilat janë si fabrikat, janë lopë me chip, pra, me kompjuter. Natyrisht, ato nuk mund të ndërtohen brenda fshatit, por në distancë dhe e vërteta është se lopët e racës kanë një shtim shumë të madh. Por ata vuajnë tmerrësisht për energjinë elektrike. Enti Energjetik duhet të tregojë përparësi si për çdo biznes. Ne kemi përcaktuar një afat, që pas lejeve të ndërtimit, ishte i dyti më burokratik, lidhja e energjisë që ne zbritëm nën 30 ditë, nga 144 ditë që ishte. Stalla do të konsiderohen njësoj si çdo sipërmarrje biznesi. Kjo do të thotë që t’u lidhet me përparësi energjia.
Në Këmishtaj, një nga zonat më të fuqishme të prodhimit në vend, m’u ngrit problemi i rrugës që është copa-copa. Unë dhashë porosi agjencie përkatëse për ta zgjidhur problemin e Këmishtaj të lidhet me Elbasanin.
Zoti ministër i Punëve Publike dhe Transportit, kemi një vendim që ‘gjobit’ me 10 euro, çdo vizitor që vjen në Shqipëri me charter. Ai vendim duhet të nulifikohet.
Nga ana tjetër, ju më dhatë lajmin e mirë dhe unë po ja u jap të gjitha agjencitë turistike, që me shumë të drejtë kërkojnë thellimin e portit të Durrësit, që të bëjë të mundur ankorimin e krocerave dhe shndërrimi e portit të Durrësit në destinacion të anijeve të mëdha turistike, të cilat kanë filluar të vijnë, por janë të një kapaciteti më të kufizuar. Sot kam shumë kënaqësi të informoj se është shumë pozitiv fakti që Autoriteti Portual ka bërë projektin, ka bërë tratativat me bankën dhe ka zgjidhur çështjen e kredisë, priten dy-tre burokraci të vogla, për të filluar thellimin e kanalit në të gjithë gjatësinë e tij prej 4 kilometrash, çka do të lejojë që në port të pranohen anije të tonazheve më të mëdha turistike. Ndërkohë, Ministria e Financave do të shqyrtojë çështjen e TVSH-së së hoteleve, që u ngrit gjatë takimit me ta.
Zoti ministër i Kulturës duhet të sillet në qeveri ligji për statusin e artistëve. E rëndësishme është që ne t’i japim përgjigje sa më shpejt problemeve të krijuara.
Sugjerimet nga këto takime ishin me interes dhe i garantoj bashkëbiseduesit e mi se gjithçka që është diskutuar me ta do të jetë objekt punë për ne”.