E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria vendosë të privatizojë banesat e 195 familjeve të përndjekura

Vendimi do të zbatohet nga Ministria e Transportit, lista do të hartohet nga Njësia 11. Botohet pjesa e dytë e listës me emrat e ish-të përndjekurve që janë dënuar me burg

Laureta Rryçi

Tiranë - Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin “Për kthimin në fond banesash të disa objekteve të ish-kombinatit të Tekstileve, në Tiranë, të Ndërmarrjes mekanike-tekstili, Tiranë dhe të ish shkollës së Partisë, Tiranë”, në të cilat aktualisht banojnë 195 familje që i përkasin shtresës së ish- të përndjekurve politikë. Në bazë të këtij vendimi, këto objekte do ti kalohen Entit Kombëtar të Banesave, për fond banesash dhe privatizim, si zgjidhja më e mirë në ndihmë të këtyre familjeve, pasi këto godina e kishin humbur prej kohësh funksionin, për të cilin ishin ndërtuar.
Vendimi
Falë këtij vendimi, të gjithë këta banorë tani më mund ta quajnë shtëpinë e tyre ndërtesën ku jetonin prej vitesh në kërkim të privatizimit. Pas kalimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, Enti i Banesave do të nisë procedurat për privatizimin e këtyre ndërtesave. Ndërkohë përgjegjësia për hartimin e listave me kryefamiljarin në emër të të cilit do të kalojë edhe banesa. Ish-të përndjekurit që jetojnë në këto banesa duhet të paraqesin kërkesën në Njësinë nr. 11 të kryeqytetit ku dhe ndodhen objektet për të cilat është rënë dakord të privatizohen.
Të përndjekurit
Sakaq, më poshtë, në numrin e sotëm vijon pjesa e dytë e ish-të përndjekurve që janë dënuar me burgim. Personat që janë të listuar më poshtë, për shkak se njihet zyrtarisht përndjekja e tyre, e kanë më të lehtë të kalojnë me sukses fazën e shqyrtimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Sidomos në rastet kur i përndjekuri vazhdon të jetojë akoma. Por, edhe në rastet kur i përndjekuri ka vdekur, janë trashëgimtarët që do t’i përfitojnë këto lehtësira. Sipas ligjit për dëmshpërblim, çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer në burg, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë. Sipas të njëjtit ligj, kur kërkesa mbërrin në Ministrinë e Drejtësisë për dëmshpërblim, pas regjistrimit të kërkesës, këtij dikasteri i lind përgjegjësia të hapë dosjen individuale dhe brenda 10 ditëve vepron si më poshtë: Kur nga shqyrtimi paraprak vëren se kërkesa nuk shoqërohet me dokument provues, e njofton kërkuesin për të plotësuar dokumentet duke i dhënë informacion për zyrën shtetërore se ku mund t’i gjejë këto dokumente. Kur nga shqyrtimi paraprak provon se i dënuari politik nuk është gjallë dhe kërkesa nuk kryhet nga rrethi i familjarëve, të përcaktuar në këtë ligj, i dërgon njoftim negativ dërguesit në adresën e tij. Aktualisht Ministria e Drejtësisë mësohet se po përzgjedh listën e dytë përfituese të këstit të parë për dëmshpërblim. Burime pranë këtij institucioni shpjeguan se këtë herë lista e përfituesve do të jetë sa trefishi i listës së parë.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›