E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjergji: “Partitë politike nuk kanë paraqitur program real ekonomik para zgjedhësve”

Flet për gazetën MA Artan Gjergji, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës

Megjithëse kanë mbetur edhe pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, partitë politike nuk kanë paraqitur një program real ekonomik para zgjedhësve. Ky konstatim është bërë nga eksperti për çështjet ekonomike, Artan Gjergji, lektor në Universitetin Europian të Tiranës. Sipas tij, më shumë ka një kakofoni zërash, sesa platforma të qarta ekonomike. Por ai konstaton një fakt pozitiv; në ndryshim nga herët e tjera, kësaj radhe çështjet ekonomike po trajtohen më shumë në debatet televizive dhe mitingjet elektorale. Gjergji ka analizuar idetë e hedhura nga opozita dhe maxhoranca dhe shqyrton perspektivën e zhvillimit ekonomik dhe pas krizës financiare botërore, e cila ka ndikime jo të vogla, sidomos te të ardhurat e emigrantëve, të cilat kanë rënë gjatë kësaj periudhe në nivele të ndjeshme.

Si është situata ekonomike sot në Shqipëri?

Situata ekonomike në Shqipëri është relativisht e ekuilibruar dhe avash-avash po kalohet periudha "e nxehtë" e ndikimit që solli kriza ekonomike ndërkombëtare në tregjet e vendit dhe në psikologjinë e konsumatorëve vendas. Bazuar në raportet e institucioneve të rëndësishme si Banka e Shqipërisë apo institucione të tjera ndërkombëtare, parametrat makro-ekonomikë janë të shëndetshëm dhe nuk ka ndonjë risk imediat, i cili mund të kërcënojë stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.

Ka një rënie relative të eksporteve dhe importeve, gjithsesi, për shkak të peshës relativisht të konsiderueshme (afërsisht në raport 1:4) që kanë importet në ekonominë e vendit, kjo ka ndikuar pozitivisht në reduktimin e deficitit të llogarisë korrente, sepse ka më pak mallra të importuar dhe me çmime relativisht disa herë më poshtë nga periudhat paraardhëse për shkak të krizës në vendet e origjinës.

Gjithsesi, duhet thënë që një problem shqetësues për ekonominë e vendit mbetet reduktimi i dërgesave të emigranteve (për shkak të reduktimit të të ardhurave të tyre në vendet ku jetojnë), i cili do të vërë ekonominë e vendit nën një presion të pashmangshëm për gjetjen e burimeve në valutë që duhet të financojnë importet. Edhe pse pritet që sektori i turizmit të rrisë fluksin e valutës që hyn në vendin tonë, përsëri kjo nuk shihet si një zgjidhje afatgjatë dhe rekomandohet një fokusim më i madh në drejtim të nxitjes së prodhimit vendas dhe eksporteve të cilat mbeten ende një problem për ekonominë e vendit.

Në anën tjetër, bazuar në statistikat e Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë vihet re një rritje e madhe e shpenzimeve buxhetore në periudhën e 6-mujorit të parë të këtij viti, një pjesë të mirë të së cilës e zënë investimet e kapitalit (kryesisht për shkak të financimit të projekteve të mëdha infrastrukturore). Një "fryrje" e tillë, jashtë normales, vjen kryesisht nga ajo që në ekonomi quhet "efekti elektoral", sipas të cilit në vite elektorale ka tendenca të qeverive për të rritur shpenzimet publike, kryesisht nëpërmjet rritjes së investimeve publike.

Edhe pse ky fenomen në vendin tonë mbetet ende brenda kufijve maksimalë të përcaktuar nga Kriteret e Kopenhagenit si pjesë e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (deficiti buxhetor < 3% e GDP apo borxhi publik < 60% e GDP), përsëri qeveria duhet të jetë më e kujdesshme në menaxhimin e shpenzimeve buxhetore gjatë muajve që do të vijnë duke u përpjekur që të realizojë edhe të ardhurat nga sistemi tatimor dhe doganor.

Sa të pranishme kanë qenë çështjet ekonomike në fushatë krahasuar me çështjet e tjera?

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në këtë fushatë elektorale kemi një përqendrim të konsiderueshëm të debatit publik edhe në çështjet ekonomike, pasi problemet ekonomike janë edhe më të prekshme për masat e gjera të popullit dhe ndikojnë direkt në perceptimin pozitiv ose negativ mbi ndryshimin e mirëqenies. Gjithashtu, gjykoj se edhe klasa politike e ka përqafuar më me seriozitet një komponent të tillë duke i dhënë edhe një hapësirë më të gjerë në diskursin për konsum publik.

Cili është vlerësimi juaj për idetë e hedhura nga partitë për zhvillimin ekonomik të vendit? A janë propozime konkrete të konsultuara me grupet e interesit, apo jo?

Pavarësisht rritjes së prezencës së ideve mbi zhvillimin ekonomik në tregun e nxehtë politik të fushatës elektorale, personalisht mendoj se ky diskurs i ngjan më tepër një “kakofonie” pozicionimesh, një parade të pakëndshme të demonstrimit të shifrave apo grafikëve si dhe të një leximi jo korrekt dhe të njëanshëm të përfundimeve të raporteve të institucioneve shqiptare apo atyre ndërkombëtare.

Për më tepër gjykoj se idetë e hedhura në fushën e debatit, më tepër se sa ide të studiuara dhe të ballafaquara edhe me grupet e interesit, janë ide kaotike të artikuluara nga individë “teknicienë”, të mbyllur në zyrat e partive respektive. Gjithashtu, duhet thënë se, pavarësisht se na ndajnë edhe disa ditë nga zgjedhjet, nuk kemi parë një program real ekonomik të artikuluar apo te publikuar nga asnjëra prej partive që synojnë ekzekutivin.

Nëse tentojmë ta shikojmë çështjen thjesht në aspektin e deklaratave të hedhura në tregun elektoral apo debateve në studiot televizive, duhet thënë se në kampin opozitar, ka një paqartësi të reformave që premtohen se do të ndërmerren. Kjo paqartësi, shoqërohet edhe me një mungesë reale të analizës mbi dështimet e mundshme ekonomike të pozitës aktuale. Ndërkohë, partia në pushtet është relativisht më e qartë në objektivat e saja ekonomike, por kjo nuk vjen për shkak të një programi të përgatitur realisht, por thjesht nga “luksi” i të qenit në pushtet. Për rrjedhojë, edhe ligjërimi i tyre në këtë fushë është më i qartë pasi bëhet një ekspoze e punës së bërë, ndërsa për rrjedhojë logjike, flitet për vazhdimësinë e reformave në proces.

Si po trajtohet kriza ekonomike dhe financiare nga partitë?

Është fakt që kriza preket pak ose aspak në ligjërimin publik paraelektoral. Gjykoj se kjo vjen kryesish për shkak se, së pari, ndikimi që pësoi vendi ynë nga kjo krizë ishte indirekt dhe periferik (u ndikuan sektorë të veçantë) dhe me doza të larta psikologjike. Ndërsa, një arsye tjetër ndoshta ka të bëjë me faktin se pjesa kohore në të cilën ekonomia e vendit u ndikua nga kjo krizë e importuar ishte vetëm ¼ e kohës së mandatit të qeverise aktuale, çka e bën opozitën ta shtrijë ligjërimin opozitar në një periudhë kohorë më të gjatë, duke ngritur problematika më të gjëra.

Programet e partive, forum në gazetën “Albania”

Kur kanë mbetur më pak se 10 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, gazeta hap një forum për programet e partive politike që kanë paraqitur para elektoratit. Me këtë rast janë të lutur që të japin mendimin e tyre ekspertë të çështjeve ekonomike, sociale, kulturore, mjedisore dhe ligjore. Ky forum synon që të evidentojë pikat pozitive dhe negative të programeve, rëndësinë që kanë ato dhe mundësitë që ofrojnë për zgjidhjen e problemeve. Forumi është i hapur për akademikë, pedagogë, ekspertë të organizatave të ndryshme dhe opinionistë. Do t’ju luteshim që shkrimet të mos jenë më të gjata se 60 radhë dhe të merret në shqyrtim vetëm një aspekt në programet e partive politike.
Për gjithçka mund të na shkruani në adresën: albertgjoka@yahoo.com

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›