Sa duhet të paguajnë qytetarët për sigurimet shëndetësore
Emanuela Sako
Qeveria vendosi në mbledhjen e saj të radhës ndryshimin e fundit të skemës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore që duhet të paguajnë qytetarët. Pagesa mujore për sigurimet është përcaktuar sipas kategorive përkatëse, për të punësuarit dhe të vetëpunësuarit, për barrëlindje, për aksidente etj. Sipas vendimit më të fundit, qeveria vendosi shumën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, në masën minimale që duhet të paguajnë, e cila tashmë do të jetë jo më pak se 16 120 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekë. Ndërsa paga maksimale mujore të jetë 80 600 (tetëdhjetë mijë e gjashtëqind) lekë. Shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit, duke u nisur në nga 1 Maji, të jetë 4 497 (katër mijë e katërqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë.
Kontributet
Qeveria ka përcaktuar pagën minimale dhe maksimale që duhet të paguajë një person i siguruar në një muaj, por gjithçka përllogaritet në bazë të kategorive që janë përcaktuar. Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për kategorinë e të vetëpunësuarve dhe për pjesëtarët e familjes që nuk trajtohen me pagë, do të jetë 7% e pagës minimale mujore. E kthyer në para është në vlerën e 1 128 lekë. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore për të punësuarit, do të jetë 27.9% e pagës bruto mujore, sipas listëpagesës, ku pjesa që do të paguajë punëdhënësi do të jetë 16.7% dhe pjesa e të punësuarit 11.2%. Kontributet llogariten nga punëdhënësi, mbi pagën bruto, të përcaktuar në këtë vendim. Ai mban nga paga e punëtorit 9.5%, për sigurim shoqëror, dhe 1.7%, për sigurim shëndetësor, dhe së bashku me pjesën e tij 15% të pagës, për sigurim shoqëror, dhe 1.7% të pagës, për sigurim shëndetësor. Punëdhënësi ka detyrë t’i deklarojë të siguruarit dhe të ardhurat dhe t’i derdhë në llogarinë bankare që është përcaktuar për kontributet.
Kategoritë
Kontributi për të punësuarit me kontratë pune dhe kohëzgjatje më pak se 87 orë pune në muaj, do të derdhin 26.7% të pagës bruto, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15.6% dhe pjesa e të punësuarit 11.1%. Por jo më pak se niveli minimal i pagës bruto, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit. Kontributi i detyrueshëm për këtë kategori, por që puna zgjat më pak se 1 javë, të jetë 3.7.% të pagës bruto, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 2% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se niveli minimal i pagës mujore, të përcaktuar për llogaritjen e kontributit. I vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, në masën 30% (23%, sigurim shoqëror, dhe 7% sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale, prej 16 120 lekësh, të barabartë me 4 836. Këta persona llogarisin kontributet për vete dhe për pjesëtarët e familjes, që nuk trajtohen me pagë dhe i paguajnë në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së vet mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi)paguan kontribut të detyrueshëm, në masën 30 për qind, të pagës mujore minimale prej 16 120 lekësh, e barabartë me 4 836 lekë në muaj.
Detyrimet, procedurat për regjistrimin e të punësuarve
Reduktohen procedurat për regjistrimin e të punësuarve. Sipas ndryshimeve më të fundit, të bëra në ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësi dhe i vetëpunësuari janë të detyruar: të regjistrojnë në regjistrin vjetor të gjithë të punësuarit; të njoftojnë në organet tatimore për ndryshimet dhe lëvizjen e punonjësve sipas procedurave të përcaktuara me ligj; të bëjnë sigurimin nga dita e parë kur i punësuari fillon punë; të dorëzojnë në organet tatimore dokumentacionin ku evidentohen paga dhe kontributi për çdo të punësuar, sipas formatit dhe afateve të përcaktuara me ligj. Rregullat e lëvizjes së informacionit dhe të dokumentacionit ndërmjet punëdhënësit, strukturave tatimore dhe strukturave të sigurimeve shoqërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas nenit të mëparshëm, numër 79, për detyrimet e punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, këta të fundit duhet të kryenin një procedurë të gjatë ligjore për regjistrimin e të punësuarve. Personat juridikë, publikë, privatë dhe personat fizikë që fillojnë veprimtari ekonomike për herë të parë, janë të detyruar të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në strukturat tatimore, sipas rregullave të përcaktuara me ligj. Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, personat që nisin veprimtari ekonomike rishtas duhet të regjistroheshin në agjencitë e sigurimeve shoqërore. Regjistrimi i subjekteve, në bazë të të dhënave të sigurimeve shoqërore dhe mbyllja e veprimtarisë bëhen sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Regjistrimi është akt administrativ, që nuk tregon detyrim për mbulimin me sigurime shoqërore.
box
kontributet
Kontributi minimal mujor, sipas degëve të sigurimit, të jetë:
Dega e sigurimit të sëmundjeve 0.3 për qind
Dega e sigurimit të barrëlindjeve 1.4
Dega e sigurimit të pensioneve 21.6
Dega e sigurimit të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale 0.3
Dega e sigurimit të papunësisë 0.9
Sigurimet shëndetësore 3.4
Pagesa e kontributeve për kategoritë
Personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulantë, të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 1 200 (një mijë e dyqind) lekë.
Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, që nuk janë të punësuar diku tjetër, duhet të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale, prej 16 120 (gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekësh.
Të vetëpunësuarit në bujqësi, duhet të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 14 400 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind) lekë. Këtu bëjnë përjashtim të vetëpunësuarit që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 9 360 (nëntë mijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekë.
Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, të jetë 1 200 (një mijë e dyqind) lekë në muaj.
Kontributi i detyrueshëm për aksidente dhe sëmundje profesionale, për kohën e formimit profesional, të personave të punësuar në subjekte, që punojnë me material të porositësit, të jetë 0,3 për qind e pagës bruto minimale dhe paguhet totalisht nga punëdhënësi.
Shuma bazë e përfitimeve
Shuma bazë e përfitimit do të jetë 10 276 (dhjetë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.
Shuma e përfitimit, për personat, që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e masës së pensionit është 6 344 (gjashtë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë në muaj.
Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, shuma bazë e përfitimit për gratë, të cilat e kanë periudhën e fundit të sigurimit si të vetëpunësuara në bujqësi, nga data 1.5.2009 e në vazhdim, është 6 344 (gjashtë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë në muaj.
19 Qershor 2009