E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria vrasëse e Sirisë shfajësohet për masakrat: Vepra të terroristëve. BE presion Moskës

04-06-2012 / Gazeta 55

Bashar al- Assad i drejtohet kombit, sipas tij Siria ka rënë pre e konspiracioneve të jatshme

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, iu adresua dje vendit me një fjalim nga parlamenti. Assad tha se vendi i tij po përballet me krizën më të rëndë që nga fundi i kolonializmit. Duke iu drejtuar parlamentit në Damask, ai fajësoi “ndërhyrjen e jashtme” për ndarje të vendit dhe “terroristët”, të mbështetur nga fuqitë e huaja.
“Vendi po përballet me përpjekjet për të dobësuar Sirinë, dhe shkelur sovranitetin e saj. Mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës, tha ai, ishte përmes dialogut politik”, vlerësoi Assad. Gjatë fjalimit të tij presidenti sirian tha se nuk do të negociojë me ata që ai tha se nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit sirian. "Ne nuk do të dialogojmë me forcat që janë  angazhuar në veprime terroriste”, shtoi Assad .
Deklarata e Assad vjen ditë pasi Liga Arabe i kërkoi Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të ndërhyjë për të ndaluar gjakderdhjen 15-mujore, që vazhdon pavarësisht planit të paqes në fuqi dhe vendosjes së 300 vëzhguesve ndërkombëtarë në vend. Që prej firmosjes së planit të ndërmjetësuar nga ish-kreu i OKB-së, Kofi Annan, në datën 12 prill, më shumë se 2 300 persona kanë mbetur të vrarë, duke çuar në 13 400 bilancin e viktimave në total.
Një muaj më parë, Assad tha se qeveria e tij ishte në gjendje që të gjente një rrugëzgjidhje për të rikthyer stabilitetin në vend.
”Siria ka qenë në gjendje të përballojë presionet dhe kërcënimet ndër vite dhe do të jetë në gjendje të kalojë edhe këtë krizë, falë fuqisë, përkushtimit, unitetit dhe pavarësisë së popullit sirian”, tha Assad. Kjo është hera e parë që Presidenti i Sirisë i drejtohet popullit të tij që prej zgjedhjeve të 7 majit, të bojkotuara nga opozita dhe të konsideruara si një farsë nga ndërkombëtarët dhe që prej masakrës në Hula ku humbën jetën më shumë se 100 persona.

Reagimi i Bashkimit Evropian
Zyrtarët e BE-së presin që presidenti rus, Vladimir Putin të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj situatës në Siri, gjatë një samiti që do të zhvillohet në Shën Petersburg. BE kërkon nga Moska që të ushtrojë presion mbi aleatin e saj, që ky i fundit të tërheqë armët e rënda nga qytetet e të plotësojë pikë për pikë planin e paqes së Annan.
Rusia dhe Kina nga ana tjetër po u rezistojnë SHBA-së dhe BE-së për të dënuar presidentin sirian, Bashar al-Assad për të kërkuar largimin e tij. Ditën e diel, Assad tha se forcat e tij nuk kishin gisht në masakrën e Houlas. Ai i tha parlamentit se “ndërhyrja e huaj” duhej fajësuar për ndarjet e mëdha në Siri. Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, ai i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso dhe shefja e diplomacisë, Catherine Ashton janë mes liderëve që do të jenë të pranishëm në samitin e së hënës. Ditën e diel, Putin priti liderët e BE-së në një darkë pune. Diplomatët e BE-së e shohin takimin si një shans për të rinovuar marrëdhëniet me Putin.  Ata po ashtu do të diskutojnë edhe Iranin dhe tregtinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›