E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatet e djathte ngrene zerin

Reforma zgjedhore mbetet themelore në kërkesën e aleatëve ndaj kryeministrit, për të mbledhur tryezën e përbashkët. Kritikat bëhen nga disa forca qeveritare. Por, si zakonisht, aleatët nuk thonë se çfarë do të bëjnë, që ta detyrojnë kryeministrin nëse nuk plotëson kërkesat e tyre. Duke ngritur pak zërin, tashmë partitë aleate të Partisë Demokratike po kërkojnë me ngulm përfshirjen e tyre në diskutimet dhe propozimet lidhur me tryezën zgjedhore, duke ndjerë edhe “rrezikun” e përfundimit të proceseve të kësaj reforme pa u marrë parasysh kërkesat e tyre. Sipas kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Republikane, duhet me patjetër që kjo tryezë të mblidhet sa më shpejt, pasi është në “limitet e kohës”. “E kemi shprehur disa herë, që është e nevojshme mbledhja e tryezës së djathtë për diskutimin e reformës zgjedhore. Duhet që vendime të tilla të diskutohen në tryezën e djathtë, në mënyrë që pastaj të ketë edhe një qëndrim të përbashkët. Pra, nuk duhet që paketa e ndryshimeve kushtetuese dhe propozimet e paraqitura të kalojnë në diskutim parlamentar pa u bërë tryeza e partive, në mënyrë që të diskutohen edhe kërkesat tona. Zhvillimi i tryezës është në të mirë të të gjithëve, sepse do të mbyllte një ndër konfliktet kryesore që mund të lindin”, ka thënë republikani Madhi për “Korrierin”, ndërsa ka shprehur besimin se në ditët në vijim do të ketë një tryezë të djathtë. Sipas tij, në momentin e votimit të ndryshimit të sistemit zgjedhor në Parlament, do të ketë dyshime lidhur me 84 votat që kërkon miratimi, pasi mund të ketë pakënaqësi nga ana e aleatëve, nëse ata “përjashtohen” nga bisedimet. Për këtë reformë, sipas Madhit, duhet konsensusi i të gjitha forcave politike, sikurse është marrë edhe për shumë reforma të tjera. Ndërkohë, rinisja e punës për reformën zgjedhore ka ngjallur edhe kërkesën e aleatëve të tjerë të Partisë Demokratike për të mbledhur tryezën e djathtë. Demokristiani Nard Ndoka thotë se tashmë i ka kaluar “paksa” koha kësaj tryeze, duke lënë të kuptohet se tryeza e së djathtës duhet të mblidhet sa më shpejt. Ndoka ka kërkuar publikisht pak ditë më parë, që të mos merren iniciativa të njëanshme për reformën zgjedhore, duke kërkuar sërish përfshirjen në diskutime të partive të vogla. Ndërkohë, deputeti i PDR-së, Tritan Shehu, ka kërkuar të njëjtën gjë, që të mblidhen aleatët e së djathtës dhe të diskutojnë lidhur me reformën zgjedhore, duke e parë këtë si një problem që duhet t’i jepet zgjidhje. “Unë mendoj që para se të riniset të diskutohet për reformën zgjedhore, duhet që aleatët e së djathtës të mblidhen, në mënyrë që të shkohet me një emërues të përbashkët në këtë komision. Ky proces ka filluar  me kohë, por pati një ndërprerje, për shkak të ngjarjeve të ndodhura në vend, dhe unë besoj se tashmë do të arrihet në një emërues të përbashkët mes koalicionit, dhe pastaj të mbajmë një qëndrim të përbashkët, pak a shumë të unifikuar në lidhje me këtë çështje”, tha Shehu për “Korrierin”. Ai tregon se akoma nuk ka ndonjë kërkesë konkrete nga ana e aleatëve për datën se kur duhet të mblidhet kjo tryezë, megjithatë ai vë në dukje faktin se tryeza është e nevojshme tashmë që po rinis puna për reformën zgjedhore. Deputeti Shehu shpreh bindjen se vetë kreu i PD-së, Berisha, do të përcaktojë në axhendën e tij edhe takimin me aleatët, takim i anuluar njëherë në muajin e kaluar. Ndërkohë, në të njëjtën linjë qëndron edhe partia tjetër aleate, Partia Agraro-Ambientaliste, e cila kërkon domosdoshmërish që tryeza e së djathtës të mblidhet e të diskutojë mbi këtë çështje. “Duhet që Partia Demokratike domosdoshmërish të mblidhet dhe të diskutojë në lidhje me reformën zgjedhore, pasi PD-ja ka lidhur aleancë me partitë e tjera dhe jo me Partinë Socialiste. Ne jemi dakord me propozimet që bëhen, por duhet të diskutohen njëherë edhe me aleatët, para se të merret një vendim”, ka thënë kreu i grupit parlamentar të PAA-së, Petrit Gjoni. Sipas tij, reforma zgjedhore u përket të gjitha partive politike dhe duhet që edhe ato të përfshihen në diskutime, në mënyrë që të ketë një vendim të përbashkët. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›