E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëheqës servilë ndaj fqinjëve

Vendosja e demokracisë në vendet ish-komuniste nuk e eliminoi fenomenin e trajtimit të interesave kombëtare nga udhëheqësit e rij si kartë përfi timi të mbështetjes së fqinjëve më të fuqishëm, në funksion të ardhjes në pushtet ose të ruajtjes së pushtetit personal. Një dinamikë të tillë të zhvillimit politik e hasim në të gjitha rajonet me vende ish-komuniste, që nga Azia Qendrore e deri në Ballkan. Ajo që po ndodh në raportet Ukrainë-Rusi, dhe politika që po ndjek presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç, (ardhjen në pushtet të të cilit në shkurt të vitit të kaluar e sponsorizoi Rusia), jep një tablo mjeruese të kontrollit të interesave kombëtare të një shteti nga magneti i fuqishëm gjeopolitik i fqinjit të madh.
Në fjalimin e tij të parë për gjendjen e vendit, mbajtur në parlament më 7 prill, presidenti Janukoviç për herë të parë foli dhe parashtroi një hap më tej drejt alternativës së bashkimit të Ukrainës me Bashkimin Doganor, të drejtuar nga Rusia. Ai deklaroi se “marrëdhëniet tona në të ardhmen me Bashkimin Doganor do të bazohen në një marrëveshje mbi bashkëpunimin në bazën e formulës 3 plus një”. Bashkimi Doganor është një organizatë e krijuar nga Rusia vitin e kaluar, ku bëjnë pjesë tri shtete, Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani, dhe traktati mes tyre hyn në fuqi më 1 korrik të këtij viti, kur do të hiqet çdo kufi doganor mes tri shteteve. Bashkimi Doganor është një projekt ekonomik rus, i cili bën pjesë në paketën e madhe strategjike të Kremlinit për të realizuar, në një mënyrë apo tjetër, influencën dhe kontrollin, që Rusia gëzonte në ish-Bashkimin Sovjetik, dhe për ta rimarrë këtë status të qendrës drejtuese mbi ish-republikat sovjetike, tani shtete të pavarura. “Krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike është planifikuar si hapi tjetër i integrimit të tyre”, shkruan agjencia ruse RIA Novosti.
Rusia i ka kërkuar zyrtarisht Ukrainës vitin e kaluar që të hyjë në këtë Bashkim Doganor. Mirëpo, anëtarësimi në Bashkimin Doganor do të përjashtonte vazhdimin e kursit të integrimit europian, për të cilin Kievi zyrtar ende thotë me gjysmë zëri se i përmbahet akoma. Ukraina është në bisedime më Bashkimin Europian për arritjen e një Marrëveshje të Zonës së Tregtisë së Lirë me BE-në, dhe më 4-8 prill në Bruksel u zhvillua raundi i 16-të i këtyre bisedimeve. Arritja e kësaj marrëveshjeje me BE-në përjashton anëtarësimin në Bashkimin Doganor, sikurse anëtarësimi në Bashkimin Doganor të Rusisë përjashton një marrëveshje me BE-në për një zonë të tregtisë së lirë. Si Brukseli, edhe Moska, ia kanë bërë të ditur Kievit, se duhet të zgjedhë dhe nuk mund të ketë marrëveshje edhe me BE-në, edhe me Rusinë. Zëdhënësi i BE-së për tregtinë, Xhon Klensi theksoi pas deklaratës së presidentit ukrainas se “do të jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur, për Ukrainën të negociojë një marrëveshjes të Zonës së Tregtisë së Lirë me BE-në, nëse do të bashkohet me Bashkimin Doganor”.
Moska, e cila ka bërë një investim kolosal në Ukrainë, për realizimin e suksesit të saj gjeopolitik të përmbysjes së qeverisë demokratike proeuropiane dhe proatlantike të presidentit të mëparshëm, Viktor Jushçenko, dhe të sjelljes në pushtet të presidentit aktual prorus, Viktor Janukoviç, ka shkallëzuar politikën e saj të shtrëngimit të lakut ndaj udhëheqjes ukrainase. Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, më 16 mars ndërmori një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe deklaroi se në rast të refuzimit të Ukrainës për kushtet e propozuara nga vendet e Bashkimit Doganor, Rusia do të vendosë barriera të forta tregtare për të bllokuar kufijtë e saj për Ukrainën. Ndërkaq Moska ka ndjekur paralel edhe politikën e karotës, dhe pikërisht më 7 prill, ditën e fjalës së presidentit ukrainas në parlament, kompania shtetërore ruse e gazit “Gazprom” i bëri ofertën joshëse Kievit se, në qoftë se hyn në Bashkimin Doganor, do të ketë një ulje çmimi për gazin rus, dhe do të fitojë 8 miliard dollarë në vit.
Hapësira, ku presidenti i Ukrainës mund të manovrojë është jashtëzakonisht e ngushtë, në mos inekzistente, sepse ai vetë e ka të lidhur ardhjen dhe qëndrimin e tij të mëtejshëm në pushtet me mbështetjen e Rusisë. Politika e lëshimeve të interesave kombëtare tek fqinji i madh, ka karakteristikat për të cilat flet teoria e dominosë, sepse kur lëshon interesin e parë kombëtar, do të pasojnë me radhë edhe lëshimet e tjera, dhe interesat kombëtare do të bien si gjethet. Presidenti Janukoviç, sapo erdhi në fuqi, i dha Rusisë të drejtën e mbajtjes së bazës së madhe ushtarako- detare të Flotës Ruse të Detit të Zi në Krime, në një afat deri në mesin e këtij shekulli. Kjo i akordon Rusisë të drejtën e shfrytëzimit të territorit tokësor dhe ujërave kombëtare ukrainase. Qeveria e mëparshme demokratike i kishte kërkuar Moskës largimin brenda vitit 2017. Presidenti aktual, që e sollën rusët në pushtet, i dha Rusisë gjithashtu të drejtën e përdorimit të bazave ushtarake dhe të poligoneve stërvitore në gjithë territorin e vendit, që në një formë apo tjetër do të thotë vënie në dispozicion të Rusisë të territorit ukrainas.
Presidenti i tanishëm ukrainas zbatoi menjëherë kërkesën, dhe kushtin më të madh të Moskës për ta sjellë atë në fuqi, bllokimin e integrimit atlantik dhe largimin e Ukrainës nga kursi i anëtarësimit në NATO. Ai fshiu Ukrainën nga lista e vendeve aspirante për në NATO. Me të ardhur në pushtet, ai miratoi me ligj doktrinën e të ashtuquajturit neutralitet, që sanksionon ndalimin e Ukrainës për të bërë pjesë në aleanca ushtarake, gjë që drejtohej direkt kundër anëtarësimit në NATO. Kjo bëhej në kohën kur presidenti i jepte bazën ushtarako-detare Flotës ruse të Detit të Zi, duke shkelur Kushtetutën.
Por me sa duket Moskës nuk i intereson dhe nuk ndjehet e sigurt vetëm me shkëputjen e Ukrainës nga NATO, por kërkon edhe shkëputjen e saj nga integrimi europian. Sepse kërkesa për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Doganor drejtohet kundër hapave integruese europiane të vendit. Frekuenca e përpjekjeve të Kremlinit për ta integruar Ukrainën në Rusi ka ardhur duke u intensifikuar. Rusia i ka kërkuar asaj që të hyjë në Bashkimin Doganor. Ajo i ka kërkuar Ukrainës të hyjë edhe në CSTO, organizata ushtarake e krijuar nga Moska me shtatë shtete, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, siç i ka kërkuar që të shkrijë kompaninë shtetërore ukrainase të gazit “Neftogaz” me kompaninë ruse “Gazprom”.
Në planin gjeopolitik, Rusia nuk duket se do të lejojë më që Ukraina të rikthehet tek “revolucioni i portokalltë” dhe të rimarrë kursin e integrimit euroatlantik, sepse kjo do të dobësonte pozitën gjeopolitike të Rusisë në Europën Qendrore. Hapat dhe masat, që Kremlini po shpeshton për integrimin rus të Ukrainës, nëpërmjet mekanizmave të tipit pansovjetik, të kontrolluara prej tij, demonstrojnë këtë vendosmëri. Kjo e shpjegon edhe faktin jo të zakonshëm protokollar, që kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, do ta vizitojë Kievin dy herë brenda javës, më 12 dhe më 19 prill, dhe presidenti Medvedev do të vijë në Kiev në muajin maj. Rezultat i këtij ndryshimi strategjik, të kalimit të Ukrainës nga kursi euroatlantik tek kursi i integrimit rus, është dobësimi i rolit të Ukrainës, e cila në kohën e “revolucionit të portokalltë” fitoi një peshë gjeopolitike më të rëndësishme, dhe kishte filluar të marrë rolin e një lojtari të rëndësishëm rajonal, si dhe të një partneri me vlera të veçanta edhe për BE, edhe për Rusinë. Kjo peshë bjerret me shndërrimin e Ukrainës në një shtet të ndikuar dhe të kontrolluar nga Rusia, sepse vetë Ukraina dhe roli i saj gjeopolitik do të bëhet i pakonsiderueshëm. Në rënien dhe në dobësimin e rolit gjeopolitik të një shteti lozin një ndikim të madh dhe madje vendimtar udhëheqësit që drejtojnë. Nëse ardhja në pushtet dhe vazhdimi i qëndrimit të tyre në pushtet varet nga mbështetja e shtetit të fuqishëm fqinj dhe nga milionat e eurove të sponsorizuara nga kompanitë e shtetit fqinj, është e kuptueshme se ai shtet nuk mund të ketë as influencë dhe as zë në rajon. Por rënia e pozitës dhe e rolit të shtetit në rajon qëndron në fund të listës së shqetësimeve të atyre udhëheqësve, të cilët oksigjenin e pushtetit të tyre personal e marrin nga bombolat e dërguara nga shtetet fqinje.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›