Qeveritarët mohojnë gjithçka

“Të gjitha deklarimet e bëra nga personat, që janë cituar në artikullin e djeshëm të “New York Times”, janë krejtësisht të trilluara dhe të paqena”. Ky ishte reagimi i djeshëm i Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me shkrimin e djeshëm me titull “Furnizuesi po investigohet mbi armët e vjetra për afganët”, të botuar në gazetën prestigjioze. Nëpërmjet në njoftimi për shtyp të dalë dje nga Ministria e Mbrojtjes, sqarohet se të gjithë deklarimet e bëra nga personat që janë cituar në këtë artikull, janë krejtësisht të trilluara dhe të paqena. “Ministria e Mbrojtjes sqaron edhe njëherë se kontrata e Ministrisë së Mbrojtjes me Pentagonin dhe kompaninë “AEY” është e ligjshme. Kjo kontratë është e miratuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes”. Sipas po të njëjtit reagim zyrtar. mësohet se kjo kontratë është verifikuar edhe nga shërbimet inteligjente ushtarake dhe nga shërbimet inteligjente të vendeve partnere. “Sikundër jeni informuar, pasi Kosta Trebicka ka vënë në dijeni Ministrinë e Mbrojtjes për disa shqetësime të tij, ministri u ka kërkuar menjëherë autoriteteve të ambasadës amerikane në Tiranë të bëjnë verifikimet përkatëse. Kjo kontratë ka rezultuar e vlefshme pas verifikimeve nga ana e autoriteteve të ambasadës amerikane në Tiranë, gjë e cila është e konfirmuar tashmë”. Zyrtarisht, nëpërmjet njoftimit të djeshëm, Ministria e Mbrojtjes pohoi se gjithashtu është verifikuar edhe “Dokumenti i Plotfuqisë” që kompania “AEY” i ka lëshuar “Evdin Ltd”. Nga të gjithë verifikimet ka rezultuar që kontrata dhe dokumenti i Plotfuqisë janë autentike dhe në përputhje të plotë me legjislacionet respektive. Në fund, reagimi i Ministrisë sonë të Mbrojtjes mbyllet duke deklaruar se raportet mes kompanisë “AEY” dhe “Evdin Ltd” janë pjesë e marrëdhënieve mes këtyre dy kompanive, pjesë e investigimeve amerikane dhe jashtë sferës së Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Nderkohe debatet e ashpra ne Kuvend dje kane pasur per kryefjale pikerisht shuplaken e rende te Nju Jork Tajms. Kryeministri Berisha i habiti te gjithe kur kerkesave te opozites per te dhene sqarime rreth artikullit ne fjale iu pergjigj duke u keshilluar atyre qe ta perdorin si "leter higjienike" gazeten prestigjoze ku ngriheshin aludime te hapura per implikimin e tij dhe te djalit te tij ne aktivitete mafioze.
Pentagoni pezullon kontratën me “AEY Ltd”
Po dje, pas botimit të artikullit me titull “Furnizuesi po investigohet mbi armët e vjetra për afganët”, reagoi edhe Pentagoni. Sipas zyrës së shtypit të Departamentit të Mbrojtjes, kjo e fundit ka pezulluar aktivitetin e kompanisë “AEY Ltd”, kompani e kontraktuar nga qeveria shqiptare për tregtinë e fishekëve drejt Afganistanit. Zëdhënësi i Pentagonit bëri me dije, se pezullimi është bërë, pasi kompania ka shkelur ligjet amerikane, ndërsa thekson se kjo kompani është nën hetim kriminal. Gjatë kësaj deklarate zyrtare, Pentagoni thekson se kompania “AEY. Ltd” deklaronte se i merrte fishekët nga Hungaria, ndërsa merrte fishekë kinezë në Shqipëri dhe i shiste në Afganistan. Zëdhënësi i Pentagonit bëri gjithashtu me dije, se një pjesë e fishekëve nuk janë përdorur, për shkak të paketimit të dobët. Po për të njëjtit burim zyrtar të informacionit, Pentagoni kishte paralajmëruar pronarin e “AEY”, Efraim Diverolin, për pezullim të aktivitetit. Në një letër të shkruar të martën, ushtria i ka bërë të ditur pronarit të kompanisë, Efraim Diveroli, se hetimi mund të çonte në përfundimin, se “AEY. Ltd” do të përjashtohej nga çdo lloj bashkëpunimi me qeverinë e SHBA-ve.