E Diel, 1 Nëntor 2026

Turp!

Edi Rama fajësoi dje qeverinë, se falë korrupsionit e paaftësisë së saj, ka turpëruar tashmë Shqipërinë në mbarë botën. Referuar publikimit të shkrimit për trafikun e armëve në të përditshmen “New York Times” dhe “Herald Tribune”, kryesocialisti i rikërkoi kryeministrin të dorëhiqet dhe të lërë imunitetin. “Ndjehem vërtet shumë keq, që kjo qeveri e dalë nga vota antikorrupsion e 3 korrikut 2005, e ka nxjerrë sot Shqipërinë në pasqyrën më të respektuar të opinionit publik botëror, si një vend, kryeministri i të cilit merret me trafik armësh dhe që ky kryeministër i votuar nga populli për të qeverisur me duar të pastra, ka gatuar me duart e tij një batak të paparë korrupsioni, që sot ka mbuluar faqen e parë të njërës prej gazetave më të lexuara e të respektuara të planetit”, - u shpreh numri një i socialistëve. Veç kësaj, Rama e cilësoi të turpshëm edhe reagimin e kreut të ekzekutivit ndaj gazetave që publikuan lajmin. “Ndjehem vërtet shumë keq, që sot kryeministri ka akuzuar “NYT” me gjuhën që diktatura e deri djeshme komuniste akuzonte botën e lirë dhe burimet e saj të lirisë së informimit, për mbrojtje të interesave të armiqve të Shqipërisë e të procesit të integrimit të vendit tonë në NATO, madje zoti kryeministër ka shkruar edhe më larg, e ka akuzuar “NYT” si të kapur nga mafia, duke na mbuluar me turp ne të gjithëve, që kemi për kryeministër një personazh të kapur në flagrancë nga një investigim ndërkombëtar e që ka paturpësinë të akuzojë si mafioze hetuesit e tij, gazetarë të një gazete, që është bërë e famshme për betejat e saj me pushtetet kulte”, - deklaroi kryetari i partisë më të madhe opozitare. Rama duke iu drejtuar kryeministrit, i bëri të ditur atij, se tashmë nuk është më i pandehuri i kundërshtarëve politikë, por i një investigimi të kryer nga njëra prej fuqive madhore të pushtetit të katërt. Në krahun tjetër, ai theksoi se këto media nuk kanë regjistruar asnjë gjyq të humbur për shpifje në historinë e tyre. Lideri i opozitës, si një ndër qytetarët e këtij vendi, i kërkoi shefit të ekzekutivit shqiptar të lërë postin për të shmangur rritjen e kostove. Ai po ashtu i rikujtoi kryeministrit Berisha, se është koha të mbajë premtimin që do ta dorëzonte imunitetin, ndërsa theksoi se sot po e përdor si të vetmen armë për t’u mbrojtur nga drejtësia. Që pas tragjedisë së Gërdecit, opozita i ka kërkuar kreut të ekzekutivit të dorëhiqet, por përgjigjja e tij, e palëkundur deri më sot, ka qenë “jo”, madje duke shtuar edhe kërcënime ndaj aktorëve të ndryshëm të opozitës gjatë zhvillimit të debateve në seancat plenare. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›