E Diel, 1 Nëntor 2026

Qindra milionë kundrojnë eklipsin më të gjatë të shek XXI

Eklipsi i plotë më i gjatë i shekullit XXI mund të shikohej përgjatë një korridori rreth 250 kilometër të gjerë, sipas agjencisë hapësinore amerikane NASA, ndërsa përfshiu pothuajse gjysmën e globit dhe kaloi përmes dy vendeve më të populluara të botës, India dhe Kina.

Mijëra persona kaluan nëpër shtigjet dhe rrugicat e ngushta të qytetit antik të shenjtë Hindu, Varanasi, dhe u mblodhën për t'u lzhytur në lumin Gang, një veprim që konsiderohet si rruga e shpëtimit nga cikli i jetës dhe vdekjes.

Përmes këngëve dhe himneve hindu, burra, gra dhe fëmijë hynin në lumë me duar të mbledhura dhe i luteshin Diellit që zhdukej në qiellin e errësuar.

"Kemi ardhur këtu, sepse të parët tanë na kanë thënë se kjo është koha më e mirë për të mundësuar përmirësimin e jetës së përtejme", ui shpreh Bhailal Sharma, banor i Indisë Qendrore, i cili kishte ardhur në Varanasi me një grup prej rreth 100 personash.

Eklipsi kaloi përmes Bangladeshit, Nepalit, Butanit, Birmanisë dhe përmes qyteteve të mbipopulluara përgjatë lumit kinez Yangtze, para se t'i drejtohej Paqësorit.

Turmat e mbledhura përgjatë digave të larta të Wuhan, qytet industrial në Kinën Qendrore, thërrisnin dhe përshëndesnin me dorë, ndërkohë që pjesa e fundit e Diellit zhdukej, duke e zhytur qytetin në errësirë.

Por personat që shikonin eklipsin përgjatë Kinës Qendore ishin më me fat se ata në qytetet bregdetare pranë Shanghait, ku qielli me re dhe në disa vende edhe reshjet e shiut nuk lejuan që të shikohej eklipsi.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›