Qipro merr përsipër kryesimin e BE-së

Zyrtarët e Qipros theksuan se dëshirojnë që kjo periudhë gjashtëmujore, sa do të jetë ky vend kryesues i unionit, të jetë një periudhë sa më efikase që është e mundur, për shkak të krizës ekonomike.
Megjithatë, Qipron e ngarkojnë edhe marrëdhëniet e tendosura me Turqinë.
“Për Qipron nuk është aq shumë me rëndësi se a mund të organizojë presidencën, por që këtë ta bëjë po aq mirë, sa edhe shtetet tjera anëtare të BE-së”, deklaroi zëdhënësi i presidencës së Qipros, Kostas Jenaris.
Kriza financiare me siguri se do ta karakterizojë periudhën e presidencës, para se gjithash edhe për faktin se edhe Qipro është zhytur në telashe, për shkak të ndikimit të Greqisë dhe ka kërkuar ndihmën e BE-së, në prag të fillimit të presidencës.
Një sfidë e madhe do të jenë edhe marrëdhëniet me Turqinë, e cila për shkak të grindjes shumëvjeçare mes dy vendeve për pjesën veriore të Qipros, që është nën pushtimin e Turqisë, ka vendosur të bojkotojë presidencën e Qipros. Qiproja u bë anëtare e BE-së në vitin 2004, ndërsa në Eurozonë u anëtarësua në vitin 2008.