Qokë me emrin e Mit’hat Frashërit!
Kur për herë të parë, Ministria e Kulturës (kujtojmë vitin 2005) hapi konkurrimin e botimeve me emrin e Mit’hat Frashërit, si nderim dhe homazh për bibliofilinë në Shqipëri, duhet thënë pa ngurrim se entuziazmi nuk ishte aq i madh. Për një arsye të thjeshtë - se me çmimin e parë fare u inaugurua dhe një bibliotekë në mjediset e Muzeut Kombëtar që i vunë emrin alias, “Lumo Skëndo”. Në katin e dytë të Muzeut, në atë bibliotekë librat që u shkarkuan i përkisnin arkivit. Tani në media është bërë e ditur se edhe ajo nismë paska qenë për t’u tallur, qesharake dhe aspak serioze nën emrin e Mit’hat Frashërit. Biblioteka nuk ekziston më, sigurisht as emri që si duket u vu sa për qokë të “atdhetarëve” të thekur. Kjo mund të quhet fyerja e dytë për Mit’hat Frashërin. Mund të rrudhen shumë turinj po të mendohet se ai njeri la në testamentin e tij jo vetëm një pasuri librash për t’ia kaluar dhuratë Bibliotekës Kombëtare, por ishte i pari që dha të qartë edhe strukturën e ngritjes së Institutit Albanologjik. Për këtë ishte gati gjithçka, por projekti i tij do të realizohej vetëm pas 100 vjetësh (kujtojmë se vetëm para një viti është ngritur në Shqipëri për herë të parë Instituti Albanologjik). Për këto dy arsye deri tani njeriu jo vetëm i penës, por dhe i mençurisë dhe urtisë politike në këtë vend, akoma rri jashtë vëmendjes. Ministria mund ta përdorë emrin e Mit’hat Frashërit për të mbuluar në këtë rast gjithë kusuret e historisë me të, por ka kohë që harron se vëmendja për këtë njeri i shkon më shumë një “lufte” të fshehtë - që në fakt duhet të shndërrohet ngritje në sakrilegj nga kushdo institucion. Ndoshta Biblioteka duhej të ishte e para, që ta ngrinte zërin për një propozim që është hedhur, por i kaluar në heshtje, për vënien e emrit të Mit’hat Frashërit në krye - në ballin ku shkruhet Biblioteka Kombëtare, pasi arsyet janë të gjitha!
Duke “përdorur” emrin e Mit’hat Frashërit për një çmim që për botuesit e këtushëm është një biznes i pastër në kurriz të autorit dhe lexuesit, sido që të propagandohet se u janë shtrënguar rripat në kriterin e zgjedhjes së botuesit më të mirë; se vlerësohet botuesi që merr në kujdesje autorin shqiptar!
A merr më kuptim ky çmim kur, dje, në mbrëmje u votua në mënyrë të fshehtë (sihariq ky, pasi mësojmë se nuk ngrihet më dora, por emrat u shkruan në letra, siguri kombëtare për votën) që sot të shpallen emrat e biznesmenëve të librit. Mos qëlloftë dhe ky çmim si ai që organizojnë vetë botuesit në panairin e librit, që u bëjnë shpëlarje hesapesh dhe rehabilitime të pakënaqurve politikë e moralë. Por edhe shtyrja, jo e zakonshme e këtij çmimi deri në këtë prag fushate mos shkoftë për elektorat me ndonjë emër botuesi, që si duket i janë mbaruar paratë dhe gjendet i shënuar në listat e deputetllëkut.
Pra, ky çmim ndonëse propagandohet me emrin e Mit’hat Frashërit është më mirë të hiqet - dhe njerëzit që e njohin më mirë këtë njeri të protestojnë. Ende nuk kemi parë deri më sot protestë intelektuale, pa qëllime biznesi, a politike – kjo farë që mungon, dhe është e konvertuar në qëllimet e mësipërme përfituese më mirë të mos e çojnë më tej mundin - por ta heqin sa nuk është vonë dëshirën për të përdorur emrin e njeriu që nuk mbetet thjesht në kuadrin e shkrimtarit, publicistit, kritikut, politikanit, diplomatit - por të një intelektuali, ndoshta të vetmit në këtë kalibër - që i ka rënë të lindet në këtë anë.
E keqja nuk qëndron se po kundërshtojmë në një çmim, por përkundrazi në mungesë të çmimit - pra të vlerësimit duke iu referuar asaj çfarë fshihet prapa kësaj historie dhe këtyre punëve të konkurrimeve. Ashtu sikurse ironia shpesh shkon me emra të tillë, që edhe me një emër rruge mund të turpërohen apo injorohen. Ka një rrugicë në Tiranë me emrin “Gjergj Fishta” - duke parë me vëmendje mungon fjala e madhe At. Ndërsa përbri qëndron një rrugë e madhe, bulevard me emrin “Brigada e kuqe”. Është kjo paralele për të parë ironinë e fatit kur përdoren emra. Ashtu sikurse edhe e Mit’hat Frashërit që një “rrugice të ngushtë”, krejt të panjohur dhe të parëndësishme - si ky çmim që jepet sot- i ngjishet emri si një qokë për t’u kryer, në rregull me historinë, në rregull me interesat.
Çmimi Kombëtar e Bibliofilisë "Lumo Skëndo", është iniciativë e viteve të fundit, duke vënë më thjesht në dukje se i shërben stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike e intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të madh të kulturës dhe politikës shqiptare, Lumo Skëndo (Mit'hat Frashëri), themelues i bibliofilisë shqiptare.
Deri vjet jepej në kuadër të 23 prillit, si dita e librit. Por, në këtë ditë duhej kujtuar gazetari italian, Indro Montanelli, pikërisht në Tiranë, në Bibliotekën Kombëtare. Një njeri i madh ky i gazetarisë italiane, me çudinë se sa mirë shkroi për shqiptarët, si na njohu para botës. Por, nuk besojmë se ky do të këmbehet ndonjëherë me kaq vullnet e zell nga zyrtarët politikë, që bëjnë dhe kulturë, që mbajnë dhe postet drejtuese të institucioneve të kulturës, me profilin e Mit’hat Frashërit në vendin fqinj, apo më “arrogantin”, Faik Konicës. Jemi inferiorë në këtë drejtim- dhe jemi bërë porti pritës i gjithë kulturave - ndërsa nuk lëvizet as gishti i dorës që së paku këta njerëz të njihen nga 80% e popullsisë në vendin e tyre. Ashtu siç bëjnë kulturëdashësit italianë me emrat e vendit të tyre, është krejt jashtë realitetit ta mendojmë se mund ta bëjnë kulturëdashësit tanë në vendin fqinj, apo dhe gjetkë. Pa hezitim, ka mundësi që është rendur më shumë të njihet Montanelli sesa Mit’hat Frashëri - që i dhuroi 40 mijë libra Bibliotekës Kombëtare.
Për ironi çmimi që jep Ministria e kulturës për botuesit ka edhe vlerë financiare, ku do të vlerësohen botimet e përzgjedhura në periudhën kohore janar-dhjetor 2008. Kështu arrihet edhe qëllimi i këtij çmimi “vlerësimi” i figurës shumëpërmasore e Mit’hat Frashërit (Lumo Skëndo, emri pseudonim iu ka ardhur më mbarë të përdorin). Botimet e përzgjedhura i janë nënshtruar gjykimit vlerësuar të jurisë së kryesuar nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari. “Botimet e përzgjedhura për vlerësim do te çmohen në bazë kriteresh teknike, estetike dhe legale me përparësi cilësinë e tyre. Ato duhen të kenë të plotë treguesit legalë si dhe vlera estetike, bibliofilike e intelektuale”, - mësohet nga Ministria e Kulturës, si njohje për procedurën dhe kriteret sesi ka vepruar juria që emrin e fituesit e ka nxjerr duke e shënuar “fshehtas” në një fletë, dhe jo në votim me dorë lart.