Shqipëri-Francë ; Bashkëpunim në fushën e hematologjisë
Shqipëria dhe Franca do të bashkëpunojnë në fushën e hematologjisë, jo vetëm në nivel shkencor, por dhe në fusha të tjera universitare akademike. Specialistë shqiptarë të kësaj fushe, si dhe dy specialistë të ardhur nga Franca, Ksavier Pivo, profesor në onkologjinë medikale dhe Iris Papa, doktoreshë e shkencave të biologjisë dhe punonjëse në Institutin Kombëtar të Kancerit në Francë, diskutuan mbi problematikën dhe të rejat shkencore në këtë fushë. Prof. Pivo vlerësoi këtë simpozium shkencor si një etapë të parë në rrugën e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Francës. Ai falënderoi me këtë rast shërbimin hematologjik të Francës dhe zv.ministrin e Shëndetësisë, Arben Ivanaj, që mundësuan këtë takim mes specialistësh. Prof. Pivo vuri në dukje se fushat e bashkëpunimit dypalësh mund të jenë të ndryshme, një ndër të cilat dhe edukimi i vazhdueshëm mjekësor (trajnimet). Prof. Pivo ka në trajnim një student shqiptar në shërbimin e tij në fushën e onkologjisë medikale. Sipas tij, "trajnimet e studentëve duhet të vazhdojnë për një kohë formimi të gjatë, 2-3, por ndoshta dhe 5-vjeçare, me formacion shkencor dhe jo vetëm mjekësor". Një tjetër fushë bashkëpunimi është dhe ai mjekësor me transfertë teknologjie për të përmirësuar marrjen në ngarkim të këtyre sëmundjeve.