Konkurrueshmëria, Tatimet marrëveshje me Drejtorinë e Metrologjisë
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë firmosi dje në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Metrologjisë, një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Marrëveshja e bashkëpunimit me Drejtorinë e Tatimeve, e firmosur nga drejtoresha e DPM-së, Myrvete Pazaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, konsiston në minimizimin e evazionit fiskal, që lidhet me fshehjen e të ardhurave për mosderdhjen e detyrimeve tatimore faktike si rezultat i instrumenteve matës të pakontrolluar apo kryerjen dhe deklarimet e matjeve të pasakta. Drejtoresha e DPM-së, Myrvete Pazaj, u shpreh se "DPM do të jetë një partner i sigurt për Drejtorinë e Tatimeve në përmbushje të detyrimeve tona ligjore, pasi është një përpjekje e përbashkët për të forcuar atë ekonomi dhe këtë tregti, që duhet të shkojë në bazë të konkurrueshmërisë dhe vlerave më të mira, që duhet të adoptojë". Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, duke shprehur mbështetjen e administratës tatimore për DPM-në, tha se "me këtë marrëveshje të dyja palët do të përfitojnë një vlerë të shtuar reale, por duke aplikuar vlera të njëjta në tregun e lirë, ku sot Shqipëria ka hyrë fuqishëm". Ndërsa marrëveshja me Fakultetin e Shkencave të Natyrës për bashkëpunim në fushën e matjeve të kimisë dhe rrezatimeve jonizuese, u nënshkrua nga dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Ilir Malollari dhe drejtoresha e DPM-së, Myrvete Pazaj. Kjo marrëveshje ka për qëllim përmirësimin dhe ngritjen cilësore të matjeve në fushën e kimisë dhe rrezatimeve jonizuese, për t'iu përgjigjur nevojave të vendit dhe njohjes ndërkombëtare të tyre.