Qosja - akademiku i injorancës
Disa herë kam menduar të reagoj ndaj opinioneve të Rexhep Qosjes. Sapo shkruaja rreshtat e parë, para ekranit më paraqitej mjekra e tij, që sikur me një injorancë më thoshte: kush është ky “fëmijë” që shkruan për një “baba të kombit”? Ia fusja pikë dhe e lija shkrimin në gjysmë. Më në fund më duhet ta them. Nëse një “baba kombi” ka guximin ta përulë këtë epitet, pse unë të frikësohem nga injorimi i tij? Në fakt akademiku Rexhep Qosja, me ato çfarë flet e shkruan, nuk e meriton titullin e “babait të kombit”. Por, më shumë atë të një “injoranti të kombit”. Si një njeri mediesh, e pranoj se duhet të jem aq vetëkritik sa të mos përcaktoj nëse Qosja vërtet e meriton të quhet akademik apo jo, edhe ashtu këtë term e kanë degraduar qëmoti vetë “akademikët”- ama ai nuk plotëson asnjë kusht të vetëm për ta konsideruar intelektual, përveçse një injorant të zaptuar nga e kaluara. Si mund të quhet e konsiderohet “baba i kombit” një njeri i cili injoron tema vitale të kësaj shoqërie, sikur identiteti shoqëror që s’po arrijmë ta ndërtojmë, ardhmëria politike e kulturore e këtij vendi, shndërrimi i shoqërisë sonë në një “aradhë” hajnash e matrapazësh, një zhvillim arsimor si mozamakeq, një ikje prej vendit tonë e investitorëve sikur nga dreqërit e shumë e shumë tema të tjera.
Jo. “Babai i kombit” tonë nuk merret me këto. Atij ato nuk i bëjnë përshtypje, aq sa ta zëmë të shajë sa herë që këtë ia kërkon një gazetë e Shqipërisë Sali Berishën apo të merret me atë se kush e posedon cilin institucion kulturor dhe kujt ky institucion po i jepka pozita pa asnjë meritë. Pozicionim ky shembullor për një ministër, por jo për një njeri që mendon ta përfaqësojë kombin e vet. Me siguri, edhe Memli Krasniqi i duket një “fëmijaq”, andaj Qosja vendosi të marrë mbi vete rehatimin përfundimtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, ashtu si dinë këtë punë ta bëjnë burrat e malësisë. Rexhep Qosja, përçon negativitet dhe destruktivizëm. Mendimtarët e mëdhenj botërorë, ndërkaq përfaqësojnë të kundërtën. Ata sfidojnë veten dhe të tjerët me ide përparimtare sikur ta zëmë ridefinimi i kapitalizmit, çështjet e ambientit, ndikimi i qelizave të caktuara në emetimin e gëzimit, krijimi i një bote më paqësore dhe më të pasur.
Ata zgjidhin probleme, ofrojnë alternativa në të mirë të shoqërisë dhe njerëzimit. Qosja ynë prodhon konflikte, përçarje, ide të shkuarës dhe tirani të fshehura nën moton e “revolucioneve demokratike të vonuara”. Eleonor Roosvelt thotë: "Njerëzit e mëdhenj merren me ide, të mesmit me ngjarje, ndërsa të vegjlit me njerëz”. Prandaj, Qosja nuk është intelektual. Ai është po aq i vogël sa unë që po merrem me të. Më shumë se të gjitha ai është rob i madhështisë së tij, që nga njeriu e ka shndërruar në një narcis. Për këtë të ardhme të munguar nuk është Qosja fajtori i parë e as i fundit, por para së gjithash ne si shoqëri që në mesin e tërë atyre njerëzve që dhanë gjithçka për këtë vend, zgjedhim ta kemi vetëm një “baba kombi”. Qosja është një përfaqësues i po asaj klase politike që së fundi e shau një klasë politike të përbërë prej historianëve, gjuhëtarëve, shkrimtarëve e akademikëve të tjerë të prodhuar nga komunizmi, të cilët i gjen në secilën parti e që nuk na lënë të bëjmë asnjë hap përtej së kaluarës. Përfaqësues të asaj klase që dje lëshuan një komunikatë, ku Qosjen e vendosin në rreshtin e intelektualëve të prodhuar nga Partia Komuniste, ndërkohë që harrojnë që shumica e tyre janë po të tillë! "Babai i kombit" tonë bashkë me ta përfaqëson historinë, ndërkohë që e ardhmja e këtij vendi do të varet nga teknokratët, pra nga njerëzit që dijnë edhe të veprojnë dhe jo vetëm të mendojnë mirë apo keq. Në këtë pikë pajtohem me Qosjen, vetëm se aty unë e shoh edhe atë, madje në krye të odës, për të keq. Sa më shpejt që ky vend dhe këta njerëz të jenë në gjendje të vështrojnë me sy kritik “ baballarët”, “akademikët”, “ intelektualët” dhe sa më pak të dëgjohet se çfarë thonë ata, vendi do të ecë më shpejt dhe të tejkalojë të kaluarën. Me mendimet e Qosjes dhe simendimtarëve të tij do të shkojmë vetëm drejt humnerës, të cilës do t’i vijë një erë e rëndë. Në Kosovë ka vend edhe për akademikë dhe intelektualë. Por, jo si Qosja, e aq më pak si kolegët e tij.