Rama, urdhër socialistëve: Konspektoni Kurbanin
I pushtuar nga mitomania, por edhe prej frikës që i vjen nga grupi i deputetëve kundërshtarë, Edvini ka dënuar me vdekje programin e partisë dhe po bredh qyteteve me Kurbanin e tij, duke e shpallur librin si të vetmen të vërtetë të PS-së. Dje ka qenë radha e Shkodrës të përballet me praktikat kineze të kryetarit në detyrë të opozitës
Është bërë nami dje në Shkodër. Njerëzit janë shtyrë e konfrontuar deri fizikisht me njëri-tjetrin. Shkaku lidhet me Edi Ramën…, ose më saktë me librin e tij “Kurban”. Nga padurimi për ta pasur sa më parë në dorë, por, me sa duket edhe nga frika se mos libri mbarohej, “lexuesit e shumtë që qëndronin në radhë për ta blerë këtë libër” (sipas edhe njoftimit zyrtar të PS-së), e kanë konsideruar “ngjarjen” e djeshme, të prezencës edhe të Edi Ramës mes tyre, si “ngjarjen” më të madhe letrare, që prej kohësh që nuk mbahet mend.
Kjo konsideratë lidhej vetëm me atë pjesë njerëzish që morën pjesë në garën e ethshme, për të blerë librin e kryetarit ët PS-së.
Sa për pjesën tjetër të qytetarisë së Shkodrës, ngjarja u përcoll me indiferentizëm dhe injorim.
Natyrisht kjo e ka një shpjegim. Shpjegimi lidhet me atë se “Kurban”-i i Edi Ramës, i ngjan një manifesti politik, për blerjen, leximin dhe konspektimin e të cilit, janë urdhëruar, jo vetëm strukturat në qendër e në bazë, por edhe anëtari më i fundit i çdo organizate të mundshme të PS-së, për ta pasur në bibliotekën e tij…, pavarësisht se shumica e tyre, jo vetëm që nuk mund të kenë ndonjë bibliotekë të mundshme në shtëpi, por as ndonjë libër të vetëm…
Që Edi Rama e konsideron këtë libër një manifest politik, që duhet blerë, lexuar dhe konspektuar, ai vetë e pohoi dje në promovimin e radhës, kur e konsideroi “Kurban”-in e tij, “një pasqyrë që i vlen një populli për të parë rrugën e tij drejt së ardhmes”.
Me siguri, dhe me qenë se “ngjarja” zhvillohet në Shkodër, në qoftë se do të kishte dalë ndonjë guximtar në sallën e promovimit, me siguri, pas kësaj fraze të kryesocialistit, do ti kishte artikuluar Edi Ramës paralajmërimin frazeologjik (pse jo edhe filozofik) “mos të hyftë vetja në qejf”.
I artikuluar apo jo ky paralajmërim frazeologjik, Edi Rama vetë nuk besohet se ndjehet i kënaqur vetëm me një auto-qejfbërje. Si përfaqësues i brezit më të fundit të bllokmenëve, që “fanar ndriçues” kanë pasur “mësimet e Karl Marksit dhe Frederik Engëlsit”, në tentativë për të ecur në gjurmët e të parëve gjenetikë, Edi Rama po tenton ti tejkalojë guximshëm ata, duke “gënjyer veten” se po i afrohet të parëve shpirtërorë, në gjurmët e të cilëve (Marksit dhe Engëlsit), ka shkruar dhe po promovon jo një “Manifest të Partisë Komuniste”, por një “Kurban-Manifest”. Dhe në ndjekje me devotshmëri të rrugës së të parëve të tij gjenetikë e shpirtërorë, Edi Rama po injekton një variant të pretenduar prej tij si të moderuar, të “Manifestit të Partisë Komuniste” nën emrin e moderuar “Kurban”.
Para një situate të tillë, edhe anëtarësia e PS-së nuk ka se ç’të bëjë ndryshe, veç të infektohet me “Kurban-virusin”… Këtë ka qenë e detyruar të bëjë anëtarësia e PS-së, edhe në Fier e Mallakastër, edhe në Durrës, edhe në Vlorë, edhe dje në Shkodër. Problemi pas kësaj qëndron, në se Edi Ramës i vete mendja ta përkthejë në të gjitha gjuhët e botës “Kurban”-in e tij dhe ta shpërndajë në radhët e gjithë anëtarësisë së partive komuniste, ku janë e ku s’janë në këtë rruzull… Në qoftë se do të ndodhë kjo, atëherë çdo gjë është e mundur dhe çdo gjë është e paparashikueshme, në tentativën e “Kurban-Manifestit”, për të promovuar tentativën “për një rend të ri botëror”…
E gjitha kjo përsiatje qendron me “këmbë në tokë” për aq kohë sa PS-ja, nuk bënte të ditur dje zyrtarisht, ato që Edi Rama nuk tha në promovim, sipas të cilave
“Kurban”-i është “një libër që tregon shumëçka nga një këndvështrim që nuk pretendon të jetë këndvështrimi i të vërtetës absolute”. Pas, kësaj gjërat ndryshojnë. Dhe për aq kohë sa nuk kemi të bëjmë me “një të vërtetë absolute” në këtë “kurban-Manifest”, atëherë i bie të kemi të bëjmë me “një të vërtetë relative”. Duke u futur përciptas paksa në shkencën e fizikës, dhe ende ca më përciptas te “teoria e relativitetit” e Ajnshtajnit, atëherë i bie që “Kurban-Manifesti” i Edi Ramës, të jetë mbushur me ngjarje të perceptuara ndryshe në kohë dhe në hapësirë, nga ai vetë dhe ca më ndryshe, po në kohë dhe në hapësirë edhe nga personazhet e librit të tij…
Po për anëtarësinë e PS-së, “konsumatorja” më e madhe e “Kurban-Manifestit”, çfarë tw perceptimi ngelet të asimilojnë….?!
Asgjë veç zhgënjimit, që “Kurban-Manifesti”, ka brenda “të vërtetat e Edi Ramës…, në një kohë ku ka vend për shumë të vërteta”, sikurse vetë Edi Rama, komentonte dje në Shkodër.