Xoxa: Kontrata u anulua pas 1 muaji, skam blerë shtëpi

erjon veliaj dhe ajola xoxe, diten e perfundimit te greves se urise
Ajola Xoxa ka sqaruar dje se nuk e ka blerë shtëpinë 200 mijë euro në Mullet, pasi e ka anuluar kontratën e prenotimit pas një muaji.Reagimin e saj për gazetën Panorama, Xoxa e mbështet edhe mbi një dokument të kompanisë Prime Capital, sipas të cilit, kontrata është anuluar nga Xoxa në 27 gusht 2010. Në asnjë moment nuk ka pasur një transaksion financiar mes meje dhe firmës Prime Capital, jo vetëm në vlerën e përmendur prej jush, por në asnjë vlerë, sado të vogël, as edhe një euro të vetëm, as nga unë dhe as nga prindërit e mi, të cilët fillimisht patën idenë e ndërrimit të apartamentit në Tiranë dhe marrjen e një apartamenti (dhe jo vile) përmes kredive që bankat lokale rëndom ofrojnë për këdo. Ide e cila u rrëzua shpejt, shprehet Xoxa në sqarimin e saj. Sipas saj, ideja e një banese jashtë Tirane ishte thjesht një bisedë brenda familjes prej 3 personash (unë e punësuar si juriste prej 5 vjetësh dhe prindërit e mi me një karrierë 35-vjeçare dhe me disa prona në Tiranë, e që si gjithë shqiptarët e tjerë mund të përfitojnë kredi nga bankat vendëse. Ajola Xoxa shprehet gjithashtu se Erion Veliaj nuk është i përfshirë fare në historinë e prenotimit të kësaj banese. Po ashtu, në reagimin e Xoxës thuhet se i ashtuquajturi avokat i konsumatorëve, Altin Goxhaj, njihet publikisht si sulmues ditor i çdo të riu të suksesshëm që kritikon pushtetin. Në këtë profil, ai tashmë është penalizuar nga gjykatat shqiptare dhe disa gjyqe të tjera ndaj tij me akuzë shpifjen janë në proces.
Dokumentet

Faksimile të shkresave të vëna në dispozicion nga Ajola Xoxa
Në letrën e firmosur nga administratori i firmës Prime Capital, Ilir Bejleri, që mban datën e djeshme bëhet e ditur se kontrata është anuluar për shkak se nga blerësi është kërkuar zgjidhja e kontratës. Znj. Xoxa ka drejtuar në emër të kompanisë sonë një shkresë njoftuese për zgjidhje kontrate dhe prenotimi është mbyllur përfundimisht që prej datës 27 gusht 2010, thuhet në letër. Në të njëjtën kohë, Xoxa ka vënë në dispozicion të gazetës edhe letrën që i ka dërguar firmës në fjalë në 27 gusht të vitit të kaluar, ku thuhet që duke qenë se në bazë të kësaj kontrate unë nuk kam kryer asnjë pagesë në emër të shoqërisë suaj e duke qenë se ndodhem në pamundësi financiare për të vazhduar këtë marrëdhënie dhe pas kërkesave tuaja për kryerje të pagesës sipas afatit, mbështetur në nenin V pika 1 e kontratës… ju njoftoj përmes kësaj shkrese vullnetin tim për ta zgjidhur kontratën në mënyrë definitive.