Qumështi i infektuar, përgjigjet Drejtoria e Shëndetit

Kjo ka qenë deklarata e djeshme e drejtorit të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja.
Sipas tij, duke u nisur nga njoftimi i Avokatit të Popullit dhe kërkesa e tij për një përgjigje nga këto struktura, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar përgjigje zyrtare, në të cilën shpjegonte dhe sqaronte të gjitha masat e marra dhe bashkëpunimi mes dy institucioneve në dobi të konsumatorit.
“Roli ynë si Ministri Shëndetësie nuk është primar, ne kemi për detyrë të parandalojmë, si dhe të përballojmë problemet kur shfaqen, por, për sa i takon pjesës së ekzaminimeve, kemi vendosur në dispozicion laboratorët tanë për kontrollet e imtësishme, që do të kryejë Ministria e Bujqësisë”, sqaroi drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik, Gazmend Bejtja.
Sipas tij, në shkresën zyrtare dërguar Avokatit të Popullit, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar rolin e saj dhe të gjitha pikat ku është diskutuar kontributi i këtij sektori, lidhur me çështjen e qumështit të importuar nga Kina.
“Po ashtu, janë njoftuar të gjitha Drejtoritë Rajonale të Shëndetit Publik për të kontaktuar në raste shfaqjes së problemeve. Nëse do të konstatohet përmbajtja e substancës në ndonjërin prej qyteteve tona, atëherë një grup specialistësh nga Shëndeti Publik do të dërgohet për ekspertizë për të monitoruar situatën dhe për të mbrojtur shëndetin e popullatës”, theksoi drejtori Bejtja.
Në ndarjen e prioriteteve, sipas tij, Ministria e Bujqësisë ka një pozicion më të drejtpërdrejtë sesa Ministria e Shëndetësisë. “Ne zotërojmë laboratorë shumë të mirë, por të tilla situata nuk kanë qenë prezente më parë, zotërojmë mundësi të mira kontrolli, për sa u takon ekspertëve, mbetet çështje për t’u diskutuar”, përfundoi drejtori i Shëndetit Publik.
240 tonë qumësht “Panda” janë zhdoganuar këtë vit nga dogana shqiptare, ndërsa Avokati i Popullit, Emir Dobjani, ka kërkuar kontrolle të imtësishme nga Bujqësia dhe Shëndetësia me një përgjigje brenda 10 ditësh për të gjitha shqiptarët dhe strukturat shtetërore.
Skandali i qumështit në Kinë, si dhe njoftimi i Avokatit të Popullit për kontrollin e importit të këtij produkti në zonën shqiptare, ka shqetësuar edhe bizneset e shumicës.
Në kinkaleri, në rrugë apo në market, disa prej produkteve të ëmbla, që tregtohen për të gjitha moshat, gjenden edhe prodhime kineze.
Çokollata, ëmbëlsira apo biskota, të cilat kanë në përmbajtje edhe qumështin, tashmë shihen me dyshim nga tregtarët, të cilët shesin dhe blejnë të tilla produkte.