E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plas në PD, deputetët kundër aleatëve: Jo në krye të listave

Përfundon paqja e PD-së me aleatët. Reforma elektorale rrit ndjeshëm temperaturën e politikës së djathtë, ku përcaktimi i formulës elektorale për listat e deputetëve të ardhshëm pritet të fus në sherr demokratët me aleatët.

Reagimet më të forta kanë ardhur nga grupi parlamentar i PD-së, në të cilin kanë nisur edhe përplasjet e para kundër listave të mbyllura.

PD kërkon përjashtimin e aleatëve nga përfshirja e tyre në listat që do të përgatisë struktura e lartë e selisë blu. Deputeti Bujar Leskaj i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që në listat e mbyllura të Partisë Demokratike të mos përfshihen kandidatët e aleatëve.

“S`kemi pse të përdorim sërish sistemin e “Dushkut” dhe duhet të mos pranojmë në asnjë mënyrë presionin e aleatëve dhe për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm”, mësohet të jetë shprehur deputeti Leskaj.

Brenda qarqeve të PD-së është hedhur ideja që të dilet në fushatë me një koalicion të përbërë, por që të mos ulet pesha e demokratëve në këto lista, për shkak të etjes së aleatëve për pushtet.

Megjithëse e ka cilësuar të drejtë shqetësimin e deputetit Leskaj, Kryeministri Berisha është shprehur se nuk mund të shikohen aleatët si kundërshtarë dhe ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje e mesme për këtë çështje.

Sistemi proporcional, që në pamje të parë duket se rrit bazën e përfaqësimit, do të lërë jashtë Kuvendit ato parti që nuk do arrijnë të marrin një numër të konsiderueshëm votash.

Me listat e mbyllura do të votohet për partinë politike. Ajo që kërkojnë deputetët demokratë është fakti që Partia Demokratike të mos privojë kandidatët e saj për t`iu nënshtruar presionit të aleatëve.

Gjithashtu, përdorimi i listave të mbyllura do të thjeshtojë edhe mënyrën e votimit, pasi fleta e votimit është më e thjeshtë dhe më e vogël, ndërkohë që në listat e hapura në fletëvotime ndodheshin kandidatë të shumtë.

Të vegjlit

Diskursi politik për formulën elektorale, që do të përdor Partia Demokratike në zgjedhjet e qershorit 2009-të duket se do të fusi në konflikt të hapur PD me koalicionin e djathtë.

Aleatët e PD-së janë të trembur seriozisht, pasi reforma elektorale pritet t’i përjashtojë ato përfundimisht nga skena politike.

Qëndrimi i fundit i PD-së pritet të tërbojë republikanët, demokristianët, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, agrarët, por edhe partitë e tjera të vogla në koalicion me demokratët. Prej një kohe të gjatë, aleatët e djathtë kërkojnë mbajtjen e tryezës së koalicionit me Kryeministrin Berisha.

Një tjetër debat ka ngjallur edhe shkrirja e PD me PDR-në, ku deputetët e djathtë kanë kërkuar që ish-të ikurit nga PD-ja të mos marrin poste drejtuese në selinë blu.

Listat e mbyllura

Listat e mbyllura kryesisht anatemohen, pasi rrisin ndjeshëm rolin e strukturave drejtuese të partive politike, apo liderit të partisë dhe ulin mundësinë e zgjedhësit për të dhënë preferencën, pasi lista përcaktohet nga lideri i partisë.

Gjithsesi, vlen të theksohet se, edhe në zgjedhjet e kaluara, kandidatët për deputet zgjidheshin direkt nga lideri i partisë. Listat e mbyllura pritet që të favorizojnë përfaqësimin gjinor në parlament.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›