E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama u shtrëngon rripat deputetëve

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u kërkoi dje deputetëve të grupit parlamentar të angazhohen fuqishëm në fushatën elektorale për zgjedhjet e vitit 2009.

I pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama ka shpalosur vendimet e fundit të Kryesisë së Partisë Socialiste. Sipas edhe asaj çka ka thënë Rama, shtabi qendror i partisë do të drejtohet prej sekretariatit nën kryesimin e Gramoz Ruçit.

Në përbërje do të jenë: Fatmir Xhafa, Kastriot Islami, Arta Dade, Blendi Klosi, Andis Harasani, Et’hem Ruka, Besnik Bare. Paralel me të do të angazhohet edhe Kryesia e partisë e cila tanimë është shpërndarë në 12 qarqet e vendit.

Deputetëve u është kërkuar nga kryetari i partisë që të sillen si deputetë të të gjithë qarkut dhe të mos lokalizohen vetëm në zonat aktuale të tyre.

Pasi ka sqaruar mënyrën se si do të funksionojnë etapat e fushatës zgjedhore, Rama ka lënë mbledhjen e grupit parlamentar. Më tutje socialistët kanë diskutuar lidhur me pikat kryesore të rendit të ditës për seancën e së hënës.

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, socialistët miratuan draftin e programit të ri politik. Dokument me të cilin do të dilet para shqiptarëve për të kërkuar votën e rikthimit në pushtet në vitin 2009.

Gjithashtu është bërë faktike tanimë shndërrimi i organizatave socialiste të vendit në shtabe elektorale të vogla. Në çdo qark do të koordinohet puna mes deputetëve përkatës, të deleguarit të kryesisë dhe sekretariatit që përbën kupolën e fushatës.

Misioni i shtabeve elektorale është puna me qytetarët që figurojnë në listat e zgjedhësve. Kështu çdo organizatë që përkon me një qendër votimi do të marrë listën e votuesve dhe do testojë përkatësinë. Kjo në një farë mënyre është sondazhi i parë që socialistët do ti bëjnë mbështetjes që kanë në elektorat.

Pasi të shohin problematikat informacioni do ti përcillet qendrës për të ri parë strategjitë. Aty ku do të mendohet e nevojshme do të intensifikohen edhe udhëtimet e ardhshme të kreut të socialistëve Edi Rama.

Partia Socialiste do të shfrytëzojë çdo mundësi për të bindur elektoratin ti drejtohet kutive të votimit dhe më pas të zgjedhë alternativën e majtë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›