Qytetarë mirëpresin heqjen e kufirit të moshës për check-up falas

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Programi i kontrollit shëndetësor bazë, check-up, vjen me një risi duke u ofruar falas, që prej muajit shtator, për të gjithë qytetarët e moshës 35 vjeç e lart, pa një kufi maksimal moshor.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përcolli në rrjetet sociale, mesazhet e disa qytetarëve që i janë nënshtruar kontrollit bazë.
“Jam 70 vjeç, erdha për të bërë check-up-in. Kjo na ndihmon, na bën shumë mirë për moshat tona. U bëj thirrje edhe moshës tonë të paraqiten, të vijnë ta bëjnë check-up-in”, u shpreh një qytetare.
Një tjetër qytetar vlerësoi heqjen e kufirit të sipërm të moshës për kryerjen e kontrollit mjekësor bazë.
“Jam shumë i gëzuar, jo vetëm unë, por për gjithë popullin shqiptar, që qeveria dhe veçanërisht Ministria e Shëndetësisë e hapi dritën e gjelbër për ne moshat e treta, e cila kishte një kufizim në moshën 70 vjeç dhe tani e lejoi moshën pa kufi”, tha ai.
Edhe qytetarë të tjerë e konsiderojnë të dobishëm zgjerimin e shërbimit.
“Jam shumë e rregullt për check-up-in. Check-up-i bën mirë që u bë edhe për njerëzit që janë mbi 70 vjeç”, u shpreh një qytetare.
Mjekja e Qendrës Shëndetësore Nr. 2 në Tiranë shpjegoi se kontrolli mjekësor bazë ofrohet për të gjithë personat mbi 35 vjeç, pa kufi të sipërm moshe.
“Kontrolli mjekësor bazë, i njohur gjerësisht si check-up në popullatë, kryhet për të gjithë pacientët mbi moshën 35-vjeçare”, tha ajo.
Sipas mjekes, kontrolli përfshin ekzaminime të tilla si analizën e gjakut komplet, bilancin biokimik, feçet për gjak okult, analizën e urinës dhe EKG-në, duke mundësuar identifikimin në kohë të faktorëve të riskut apo problematikave që mund të mos shfaqin simptoma.
Ajo informoi se qytetarët mund t’i drejtohen Qendrës Shëndetësore Nr. 2 në Tiranë nga e hëna deri të shtunën, nga ora 08:00 deri në 11:00. Për kryerjen e ekzaminimeve laboratorike, qytetarët duhet të paraqiten esëll, pa konsumuar ushqim.
/e.i/j.p/r.e/