“Arka e shtetit është bosh, punonjësit pa paga”
21/12/2009 Akuza e Braçes
Deputeti socialist Erion Braçe komentoi dje deklaratën e kryeministrit Berisha, i cili deklaroi se “në Shqipëri nuk ka krizë ekonomike”. Duke u bazuar në fakte, Braçe nënvizoi se “për herë të parë pas 6 vjetësh mësuesit, edukatorët, mjekët, infermierët, ushtarakët, policët, nëpunësit e administratës politike qendrore e vendore nuk do të marrin pagën e 13-të, por do ta mbyllin vitin me 11 ose 11 paga e gjysmë”. Sipas tij, për herë të parë pas 6 vjetësh pensionistët në qytet dhe në fshat nuk do të marrin pensionin e 13-të, por do ta mbyllin vitin me 11 pensione e një çerek, ashtu sikundër dhe invalidët në qytet dhe në fshat, mbi 70 % e tyre nuk do të marrin pagesën e 13-të, por po ta mbyllin vitin me 9 paga. Në fakt, kjo është shenja më e dukshme e krizës: arka e shtetit është bosh. Ky është efekti i keqqeverisjes, korrupsionit, si prioritet qeverisës i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Këtë nuk e zhbën dot as kollarja sa një pension pleqërie e Sali Berishës, as papijoni sa dy pensione pleqërie fshati i guvernatorit Fullani, as nga inaugurimi i punës së cilitdo biznesi. Mund ta bëjë edhe këtë javë një të tillë, sërish në autostradë, për një tjetër qendër tregtare”, - u shpreh Braçe.