Qytetarët: Jo rritjes së çmimit të biletave urbane
Pas kërkesës që Shoqata Kombëtare e Transportit ka bërë për të rritur çmimin e biletave, qytetarët shprehen të pakënaqur, edhe po të rritet cilësia e shërbimit ata përsëri nuk do të pranonin. Disa prej tyre thonë se në rastin e rritjes së çmimit nuk do të mundin më që të kryejnë udhëtimin me linja urbane. Shumë të tjerë shprehen se nuk ka arsye që të rritet bileta dhe aboneja, pasi çmimet e karburanteve në krahasim me sezonin e verës kanë rënë. Këto ditë, kjo shoqatë në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë akuzoi edhe qytetarët si abuzues në biletari apo në raste të tjera edhe mashtrues që nuk paguajnë tarifën. Kushtet e shërbimit urban lënë shumë për të dëshiruar, por edhe çmimi nuk mund të përballohet nga shumë familje që janë buxhetore dhe kanë të ardhura të pakta. Por veç këtyre edhe subvencionet e shtetit ndaj operatorëve privatë nuk figurojnë fare. Kundër rritjes së çmimit të biletave të urbanëve është deklaruar dje edhe ZMK. Sipas tyre, qytetarët e Tiranës duhet të kërkojnë nga institucionet qeveritare uljen e çmimit të biletave, sepse tashmë është në ulje të vazhdueshme edhe çmimi i karburantit të autobusëve, sepse preteksti që përdori Bashkia Tiranë për rritjen e çmimit të biletave ishte pikërisht rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës gjatë 2008. ZMK deklaron se "kjo është loja e re e rritjes së çmimit të biletave të autobusëve".