E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 10 vjetësh bien çmimet e apartamenteve

Në plan të parë duket e pabesueshme, por në të vërtetë çmimet për apartamente kanë pësuar gradualisht rënie. Fakti vërtetohet nga Banka e Shqipërisë, e cila në raportin e fundit të politikës monetare korrik-shtator 2008, thotë se, "pas dhjetë vjetësh po vihet re një rënie e çmimeve". Sipas BSH-së, çmimet për metër katror jo vetëm që nuk kanë pësuar rritje, por as nuk kanë qëndruar të pandryshuara, madje janë duke pësuar rënie. Aktualisht çmimi për metër katror në Tiranë varion sipas zonave nga 600 deri në 1800 euro.

Studimi

Indeksi i Çmimeve të Banesave (IÇB), i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, shënoi një rënie prej rreth 4.3 për qind në tremujorin e tretë 2008 (korrik-shtator) në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. "Ndonëse kjo ishte rënia më e madhe vjetore e regjistruar që nga fillimi i matjes së këtij treguesi, në raport me tremujorin paraardhës, çmimet e banesave regjistruan një rritje prej 3.6 për qind", shprehet BSH në raportin e saj të fundit. Banka e Shqipërisë ka filluar ta masë Indeksin e Çmimeve të Banesave që në tremujorin e dytë të vitit 1998, ndërsa studimi i bërë për tremujorin e tretë 2008, i referohet vetëm zonës së Tiranës. Ndërkaq, indeksi i qirasë së banesave shënoi rritje vjetore me rreth 7.4 për qind në tremujorin e tretë, pas rënies së një tremujori më parë me 9.5 për qind. Ecuria në drejtime të kundërta e indekseve të çmimit dhe të qirasë, ka shkaktuar uljen e vlerës së raportit çmim/qira nën nivelin e prirjes afatgjatë të tij. "Kjo prirje, pasi arriti pikën më të lartë në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, filloi të bjerë gradualisht në harkun kohor të katër tremujorëve pasardhës. Pavarësisht këtij zhvillimi, vlera e këtij raporti në tremujorin aktual rezultoi rreth dy herë më e lartë se sa mesatarja afatgjatë e tij", raporton BSH-ja.

Kredia

Ritmi i rritjes së portofolit të kredisë për individët është reduktuar në 41 për qind nga 67.7 për qind që ishte në vitin 2007. Kjo ecuri, sipas Bankës së Shqipërisë, është ndikuar nga reduktimi i ndjeshëm i ritmeve të rritjes vjetore të kredisë konsumatore me rreth 29.3 për qind, si dhe nga reduktimi i normës së rritjes së kredisë për banesa (46.7 për qind). Gjithsesi, gjatë gjithë vitit 2008, portofoli i individëve është zhvendosur drejt kreditimit për blerjen e banesave. Mësohet se në muajin shtator, kredia për banesa përbënte rreth 66 për qind të këtij portofoli. "Kredia për konsum, edhe pse shfaqi rritjen sezonale të muajve të verës, dha një kontribut më të ulët se sa një vit më parë", vijon BSH-ja. Në muajin shtator, kredia konsumatore përbënte rreth 25 për qind të kredisë për individë përkundrejt 31 për qind, niveli maksimal që arriti në korrik 2007.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›