Bizneset, më shumë kredi për likuiditete se sa për investime
Bizneset në vend nuk janë duke kaluar momente pozitive dhe kjo me nevojën gjithnjë e në rritje për financime. Dëshira për t‘u zgjeruar nuk mungon, por ndryshimet e çmimeve për lëndët e para gjatë 2008-ës kanë ndikuar negativisht në ecurinë normale të aktivitetit privat. Faktet tregojnë se bizneset në Shqipëri, një pjesë të konsiderueshme të kredisë që marrin e përdorin për likuiditete, pra për të shlyer detyrimet, ose për të blerë mallra, ndërsa kredia për investime duket më e vogël. Raporti i politikës monetare për tremujorin III 2008, paraqet fakte jo fort optimiste për sektorin privat në vend, i cili vazhdon të mbetet gjithsesi "klienti" kryesor i bankave (66%). Në terma vjetorë, portofoli i kredisë për biznese u rrit me 44.2% krahasuar me 40.2% një tremujor më parë. Zgjerimi i kreditimit për biznese është në përgjigje të një kërkese më të lartë për financimin e nevojave për likuiditet dhe për investime në pasuri të paluajtshme. Kredia për likuiditete në tremujorin e tretë u rrit në terma vjetorë mesatare, me 56.3% krahasuar me 48.6% në tremujorin e dytë. Ndërkohë, kredia për investime, e ndikuar kryesisht nga rritja e financimit të bizneseve për blerjen e pasurive të paluajtshme, është rritur me 40%. Në shtator 2008, nga i gjithë totali i kredive, rreth 25% është marrë nga sektori i tregtisë, 15% nga ndërtimi dhe rreth 16% nga industria. "Aktiviteti tregtar dhe ai ndërtues kanë përfituar më shumë financim nga sistemi bankar gjatë vitit 2008, duke rritur peshën e kredisë për këta sektorë me 0.3 pikë përqindjeje dhe 1.2 pikë përqindjeje përkatësisht, krahasuar me muajin dhjetor 2007", raporton BSH-ja. Gjatë periudhës korrik-shtator 2008 janë dhënë rreth 29 miliardë lekë kredi nga bankat për bizneset. Rritja e kredisë në tremujorin e tretë është ndikuar nga nivelet e larta të kredisë së re (68 miliardë lekë), si dhe nga zgjatja e periudhës së shlyerjes së kredisë.