Vlonjatët, në garë për të mësuar "vlerën e vërtetë të parasë"
Gjatë ditëve të fundit, mes gjimnazeve të Vlorës janë zhvilluar disa konkurse të organizuara nga Banka e Shqipërisë, me temë "Vlera e vërtetë parasë!". Në fazën e parë të konkursit morën pjesë 17 shkolla, me një pjesëmarrje prej rreth 400 nxënësish dhe mësuesish. Konkursi ishte i ndërtuar mbi pyetje formuese në çështje që kanë të bëjnë me funksionin kryesor të Bankës Qendrore, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe hartimin e zbatimin e politikës monetare të saj. Në përfundim të kësaj faze, u shpallën 3 skuadrat më të mira që grumbulluan më shumë pikë dhe ato ishin shkollat: "Ali Demi", "Numër 1" dhe "Aulona". Këto tri shkolla do të konkurrojnë midis tyre në fazën finale, që do të zhvillohet më 19 dhjetor ‘08 në qytetin e Vlorës, aktivitet i cili do të transmetohet edhe në një televizion kombëtar. Në këtë formë, BSH synon jo vetëm që të njohë nxënësit me funksionet kryesore të saj dhe rolin që ajo luan në zhvillimin ekonomik të vendit, por njëkohësisht të përgatisë edhe bankierët e ardhshëm të Shqipërisë.