Qytetarët e Kosovës më shumë besim tek KFOR
Qytetarët e Kosovës besim më të madh kanë tek KFOR, ndërsa më pas tek SHPK, TMK-ja, ndërsa më pak i besojnë gjyqësorit, bën të ditur anketa e OSBE-së.
Sipas kësaj ankete, 48 për qind e të anketuarve kanë vlerësuar se rreziku në Kosovë është në nivel mesatar, 19 për qind në nivel të ulët dhe 18 për qind në nivel të lartë. Rreth 9 për qind e të anketuarve kanë vlerësuar se statusi ekonomik i qytetarëve mund të jetë një rrezik potencial për keqësimin e situatës.
Anketa e OSBE-së bën të ditur se shqiptarët që jetojnë në Mitrovicën Veriore shprehin shqetësim për situatën e sigurisë, ndërsa në anën tjetër një situatë të njejtë e përshkruajnë serbët që jetojnë në Graçanicë.
Anketa e titulluar “Vlerësimi i besimit” është realizuar gjatë periudhës para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku janë anketuar 1.900 banorë të Kosovës nga të gjitha komunitetet dhe kategoritë e ndryshme të qytetarëve.(INA)