E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët e Prishtinës indiferent ndaj decentralizimit

Prishtinë -Paralajmërimet për fillimin e shpejtë të decentralizimit nuk kanë zgjuar sot kureshtjen e qytetarëve të Prishtinë. Debati i planifikuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka dështuar pasi asnjë qytetar nuk ka marrë pjesë. Janë takuar vetëm zyrtarët të cilët sërish kanë përsëritur se procesi është në favor të qytetarëve. Takimi me qytetarë në Prishtinë parashihej të organizohej në kuadër të aktiviteteve të fushatës informuese mbi bartjen e kompetencave nga pushteti qendror tek komunat. Pasi qytetarët nuk iu përgjigjen ftesës së sotme, përfaqësuesi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Izet Sadiku, nuk përjashton mundësinë e ndërrimit të formës së organizimit të takimeve informuese.

“Asociacioni i Komunave e ka pas për obligim si organizatorë me i ftuar. Unë kam dëgjuar sot nëpër media, që sot do të mbahet tubim, por ndoshta do të diskutojmë me Asociacionin dhe ICO-në për me ndërru mënyrën e takimeve, jo me i ftu njerëzit përmes mediave, por përmes lagjeve ose tjera për me ardhë qytetarët”, tha Sadiku.

Procesi i reformave të pushtetit lokal është proces me sfida ndërsa, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do ta ndihmojë këtë proces përmes investimeve, varësisht prej nevojave të komunës, tha Sadiku. Ai shtoi se me këtë proces tek komunat po barten më shumë kompetenca dhe ato po bëhen më të fuqishme në raport me qytetarët.

“Pushteti i reformës së pushtetit lokal është një transfer i kompetencave të komunave. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që shumica e komunave, kompetencat që do t’i transferojnë tek ato nuk mund t’i përballojnë në qoftë se nuk do të kenë ngritje të kapaciteteve. Kështu që, ne kemi bërë plane për ngritje të kapaciteteve”, thotë Sadiku.

Përfaqësuesit e ministrisë dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare sidoqoftë u takuan me kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa. Sadiku tha se udhëheqësit nëpër komuna kryesisht shprehin shqetësim rreth resurseve të nevojshme njerëzore për zhvillimin e këtij procesi. Decentralizimi është njëra ndër çështjet kryesore që del nga pakoja Ahtisari dhe përveç tjerash parasheh krijimin e pesë komunave të reja me shumicë serbe. (rtk)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›