Qytetarët e Shqipërisë, tani drejt Kosovës, vetëm me një kartë identiteti
Lehtësohen edhe më shumë procedurat për lëvizjen e shqiptarëve në rajon. Me vënien në punë të tunelit të Rrugës së Kombit, qytetarët e Shqipërisë, tani mundet ta vizitojnë Kosovën, edhe duke qenë të pajisur vetëm me një kartë identiteti
Karta e identitetit është një prej dokumenteve të identifikimit që mund të përdoret nga të gjithë shtetasit shqiptarë për të kaluar në Kosovë. Një marrëveshje dypalëshe e nënshkruar mes dy vendeve i ka paraprire çeljes së sezonit turistik, ndërsa do të jetë e vlefshme gjithmonë. Drejtori i Kufirit dhe Migracionit në drejtorinë e policisë së shtetit, Skënder Muça, sqaron detaje të marrëveshjes. “Kemi përcaktuar si dokument të veçantë edhe letërnjoftimin ose kartën e identitetit. Kjo është e vlefshme si për shtetas shqiptare dhe për ata kosovarë. Lejohet kalimi i kufirit me karta identiteti” - tha Muça.
Përveç pasaportës së zakonshme, diplomatike dhe të shërbimit, shqiptarët mund të udhëtojnë drejt Kosovës me kartë identiteti, si dhe dokumente të vlefshëm të lëshuara në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Siguria e dokumenteve biometrike të identifikimit ka lehtësuar procedurat e lëvizjes mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.