E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet serbe në Mitrovicë - shqiptarët dhe serbët "përplasen" në urën e Ibrit

Policia e Kosovës përdori sot, në mesditë, gaz lotsjellës për të evituar tensionet e mundshme mes shqiptarëve dhe serbëve në urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë. Një grup i shkëputur nga protesta e shqiptarëve kundër zgjedhjeve serbe që po mbahen sot në veri të Mitrovicës, sipas policisë, u nis në drejtim të urës mbi lumin Ibër, ndërkohë që në veri të urës, një grup serbësh provokoi situatën duke hedhur gurë dhe gjësende tjera në drejtim të shqiptarëve. Kjo, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, shkaktoi një situatë të tensionuar, gjë që çoi në intervenimin e policisë. “Sidoqoftë, njësitë speciale për kontrollim të turmës nga Polica e Kosovës, në bashkëveprim me njësitë tjera dhe me ndihmën e KFOR-it, kanë arritur t’i zmbrapsin të dyja grupet dhe deri më tani ura është pa ngarkesa të të dyja grupeve”. “Me rëndësi është që nuk erdhi deri te kontakti fizik mes të dy grupeve shqiptare dhe serbe. Situata kishte tension të një niveli të lartë, por sidoqoftë është arritur të vihet situata nën kontroll. Deri më tash nuk kemi informacione për persona të lënduar nga të dyja palët”, i tha Radios Evropa e Lirë, Besim Hoti. Ai sqaroi se përdorimi i gazit lotsjellës ka qenë i domosdoshëm. “është dashur që policia të vë në përdorim gazin lotsjellës në një masë mjaft të vogël për t’i detyruar protestuesit që të shpërndahen në të dy anët”, theksoi Hoti. Për një kohë, të dy grupet qëndruan në veri dhe jug të lumit Ibër, ndërsa në mes të urës rendin e ruajtën njësitet e Policisë së Kosovës dhe të forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Policia e Kosovës tha se tashmë të dy grupet janë shpërndarë dhe situata është e qetë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›