Qytetarët ende të pakënaqur me faturat e KEK-ut

Vazhdon ende pakënaqësia e qytetarëve ndaj faturave të KEK-ut të muajit janar. Akuzat shkojnë në Korporatën Energjetike të Kosovës për lexim jo të saktë të orëve. Nga ana tjetër, zyrtarët e KEK-ut kanë bërë të ditur se ndaj të gjithë inkasantëve që kanë bërë gabime do të merren masa ndëshkimi. Kurse Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka kërkuar nga korporata që të ketë kujdes në caktimin e ditëve të leximit të orëve, raporton KTV.Enver Osmani nga Prishtina assesi nuk pajtohet me shumën që Korporata Energjetike e Kosovës i ka vendosur.
Enveri të martën pasdite kishte vendosur të ankohej në KEK, pasi që inkasantët e kësaj ndërmarrjeje kishin kërcënuar me shkyçje nga furnizimi me energji po qe se nuk e paguan edhe pjesën e mbetur të borxhit, për të cilin ai është ankuar më herët.
Deri tash në KEK kanë arritur rreth 3000 ankesa, nga të cilat rreth 1300 janë zgjidhur.
Sipas zyrtarëve të korporatës, këto ankesa janë shumë më të vogla se ato që janë bërë në janarin e vitit të kaluar.
Vazhdimisht, sipas tyre, po merren masa ndaj inkasantëve që po bëjnë gabime.
Nga ana tjetër, Zyra e Rregullatorit të energjisë ka saktësuar se bordi i saj është ende në pritje të analizave të detajuara nga Departamentet përkatëse të saj.
Gjithashtu ky institucion ka rekomanduar KEK-un që të këtë më shumë kujdes gjatë caktimit të ditëve të leximit, sipas Rregullave në fuqi dhe se Bordi këtë çështje do ta analizojë me kujdes dhe nëse nevojitet, do të merren vendime për masat e duhura./Indeksonline/