E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gani Sahiti vrau drejtorin e arsimit Remzi Salihun

Nga Nexhmije Ahmeti më 03 tetor 2011 në ora 10:41

(E plotësuar) Burime të Expressit tregojnë se personi i dyshuar për vrasjen e Remzi Salihut, drejtorit të Drejtoratit të Arsimit të Komunës së Prishtinës, është Gani Sahiti.

I dyshuari është nga fshati Graxhenik të komunës së Kamenicës, dhe është i lindur në vitin 1981.

Muhamet Gashi, Zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka thënë se dyshohet se dorasi ka qenë kandidat për drejtor në një shkollë fshati të Prishtinës dhe që nuk është përzgjedhur në këtë detyrë.

Policia nuk ka ende ndonjë adresë tjetër të këtij të dyshuari se ku ka jetuar në Prishtinë.

Sidoqoftë, pas pak pritet që policia të lëshojë një komunikatë për media ku do të konfirmohet edhe zyrtarisht se I dyshuari Gani S, e ka plagosur me armë zjarri drejtorin Remzi Salihu, në orën 9 e 53 minuta, brenda në zyrën e tij.

Në këtë komunikatë do të sqarohet se viktima është dërguar me urgjencë në QKUK, por ai ka vdekur në orën 10 e 20 minuta.

I dyshuari është arrestuar dhe hetimet do të vazhdojnë.

Komuna ka njoftuar se procesi arsimor në shkollat e Prishtinës do të ndërpritet për dy ditë - në shenjë zie për këtë vrasje makabre.

Vritet në zyrën e tij drejtori i arsimit të Prishtinës

Drejtori për arsim në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu është vrarë sot rreth orës 10.

Vrasja ka ndodhur në zyrën e tij të punës në ndërtesën e re të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”.

Policia e Kosovës e konfirmon vrasjen. “I dyshuari nuk është dorëzuar, por është arrestuar nga policia“, tha Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Express.

Sipas tij, është shumë herët të tregohet për motivet që kanë çuar personin e dyshuar të kryejë këtë vrasje.

Burime të Expressit nga komuna tregojnë se vrasja është kryer me pistoletë, ndonëse ende mbetet e panjohur mënyra se si ka arritur që personi të futet në objektin e komunës, ashtu i armatosur.

Pavarësisht kësaj, dyshimet e para janë vrasja është kryer për motive të cilat kanë të bëjnë me punësim.

Muhamet Gashi, zëdhënës i komunës së Prishtinës, nuk pranoi të thotë asgjë në lidhje me këtë akt duke shtuar se ”për këtë çështje, pyesni në polici“.

Kjo është vrasja e dytë e një zyrtari të lartë të komunës së Prishtinës. Para dhjetë vjetësh, ishte vrarë edhe arkitekti Rexhep Luci, në atë kohë, drejtor i Drejtoratit të Urbanizimit në Prishtinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›