Qytetari i parë i Tiranës, Lulzim Basha: Një bashki për qytetin dhe qytetarët, larg sherreve politike

Kryebashkiaku bën betimin: Ja projektet për ndryshimin e Tiranës në 100 ditët e para
Kryetari i ri i bashkisë së Tiranës z.Lulzim Basha bëri betimin para anëtarëve të këshillit bashkiak të kryeqytetit dhe në prani të prefektit të Tiranës, Keltis Kruja. Zoti Basha falënderoi qytetarët për votën e tyre më 8 maj, të cilët i besuan administrimin dhe drejtimin e qytetit për 4-ër vitet e ardhshme. Duke mbajtur një fjalim në mbledhjen e parë të këshillit, Basha i premtoi qytetarëve një Tiranë ndryshe në të ardhmen, një Tiranë me vende pune si dhe një Tiranë me infrastrukturë moderne. Në 100 ditët e para tha z.Basha, do të nisë puna për nxitjen e punësimit, nxitjen e zhvillimit të biznesit, si ngritjen e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit. “Nisjen e procesit të hartimit të planit urbanistik, hipotekimin e banesave, përmirësimin e trafikut, transparencën e taksave si dhe reduktimin e 60 taksave dhe tarifave. Të gjitha shpenzimet e Bashkisë do jenë të afishuara online në faqen e Bashkisë. Përgatitjen e kartës së studentit si dhe rritjen e kompetencave për njësitë bashkiake të Tiranës”- u shpreh Basha. Kryetari i ri i bashkisë premtoi ndërtimin e Unazës së Madhe, përmirësimin e infrastrukturës rrugore si dhe zhvillim të jetës kulturore dhe sportive në Tiranë. “Ne do të ndërtojmë Tiranën që duam të jetojmë. Të parët do jenë qytetarët. Ne duhet të ruajmë qytetarinë tonë, pavarësisht bindjeve tona politike ne jemi të gjithë shqiptarë dhe ne jemi të gjithë qytetarë të Tiranës. Unë si kryebashkiak do të punoj me përkushtim për ju, për realizimin e aspiratave tuaja”- u shpreh kryebashkiaku Basha.
Basha tha se do ketë orare për takime të posaçme me qytetarë. Sipas tij, bashkia e Tiranës do jetë e hapur për të gjithë kryeqytetasit. Kjo sipas Bashës do rrisë rolin e qytetarëve në bashkëqeverisjen e qytetit. “Kjo fushatë nuk ishte për mua, as për kundërshtarin tim, por për ju dhe vetëm për ju. Ju siguroj që me të njëjtin përkushtim do vazhdoj t’ju dëgjoj edhe në këtë rrugëtim të ri, një rrugëtim i gjatë që na pret. Ndaj, unë do të hap dyert e bashkisë së Tiranës, për të gjithë qytetarët. Bashkia e Tiranës i përket qytetarëve të saj dhe jo partive politike. Bashkia e Tiranës do të punojë për ju dhe do angazhohet me zemër dhe përkushtim"- tha Basha.
Ai vuri në dukje se për vite me radhë bashkia e Tiranës ishte pushtuar nga sherrnaja politike. Në këtë drejtim, kryetari Basha premtoi se bashkia e kryeqytetit do jetë jashtë influencës politike. “Bashkisë së Tiranës nuk i takon të jetë pjesë e konflikteve politike. Nën drejtimin tim, Bashkia e Tiranës do punojë për t’i dhënë zgjidhje problemeve të qytetarëve. Këtu nuk ka vend për konfliktet politike. Është koha për të qeverisur dhe jo për t’u sharë. Është koha për t’iu përkushtuar zhvillimit të Tiranës”- tha ai.
Basha uroi anëtarët e rinj të këshillit bashkiak, duke i ftuar për bashkëpunim gjatë katër viteve të ardhshme të administrimit të qytetit. “Dua të theksoj përkushtimin tim për të bashkëpunuar me ju pavarësisht se cilës parti politike i përket. Nëse dikush nga ju ka një ide të mirë për të zhvilluar qytetin, pavarësisht se nga cila forcë politike vjen, e rëndësishme është që të realizojmë detyrimet ndaj qytetarëve. Ne kemi mbërritur në destinacion, por ne sot nisim një rrugëtim të ri, për të ndërtuar Tiranën që duam të jetojmë. Ne sot nisim punën për Tiranën tonë. Ndryshimi nuk është i lehtë, por ai do të vijë më shpejt nëse do të punojmë së bashku. Ne sërish do të arrijmë në destinacion për të kthyer qytetin e Tiranës tek qytetarët e saj”- tha më tej kryebashkiaku Basha.
...