E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betohet Basha, Tirana bëhet me Bashki

26-07-2011 / Gazeta 55

Me betimin e Lulzim Bashës para 55 anëtarëve të Këshillit Bashkiak, Tirana fiton bashkinë që i mungonte prej 11 vitesh. U mbyll epoka e bunkerit, ndërkohë që me konsultimet me banorët nis epoka e administrimit të përbashkët të një qendre të banuar që është lokomotiva e zhvillimit të Shqipërisë

Kryetari i ri i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri dje betimin para anëtarëve të këshillit bashkiak të kryeqytetit dhe në prani të prefektit të Tiranës, Keltis Kruja.
Lulzim Basha falënderoi qytetarët për votën e tyre më 8 maj, të cilët i besuan administrimin dhe drejtimin e qytetit për katër vitet e ardhshme. Duke mbajtur një fjalim në mbledhjen e parë të këshillit, Basha u premtoi qytetarëve një Tiranë ndryshe në të ardhmen, një Tiranë me vende pune si dhe një Tiranë me infrastrukturë moderne. Në 100 ditët e para tha kryetari Basha, do të nisë puna për nxitjen e punësimit, nxitjen e zhvillimit të biznesit, si ngritjen e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Kryetari i ri i bashkisë premtoi ndërtimin e Unazës së Madhe, përmirësimin e infrastrukturës rrugore si dhe zhvillim të jetës kulturore dhe sportive në Tiranë.
Sipas tij, bashkia e Tiranës do jetë e hapur për të gjithë qytetarët. Kjo sipas Bashës do rrisë rolin e qytetarëve në bashkëqeverisjen e qytetit.
Ai tha se për vite me radhë bashkia e Tiranës ishte pushtuar nga sherrnaja politike. Në këtë drejtim, kryetari Basha premtoi se bashkia e kryeqytetit do jetë jashtë influencës politike. Ai uroi anëtarët e rinj të këshillit bashkiak, duke i ftuar për bashkëpunim gjatë katër viteve të ardhshme të administrimit të qytetit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›