E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetaria duhet të hyjë në skenë

26/01/2011  Disa ditë larg prej ngjarjeve të së premtes, duket se rrjedha e zakonshme për banorët e qytetit ka rifilluar natyrshëm, një natyrshmëri ndoshta e ngurtë dhe disi e pasigurt, por megjithatë një natyrshmëri, e munguar së fundi.

E nxitur prej çka ndodhi, nisa të shfletoj disa botime e studime në lidhje me situatën politike pas viteve 90, sigurisht botimet janë të pakta e lënë për të dëshiruar, por përpos kësaj ndesha në "Albanien" e Von Kohl një anekdotë. Anekdotë për të cilën Kohl shpjegonte se shqiptarët e shpjegonin me qejf të madh. "Zoti vjen në tokë për të parë se çkishin bërë njerëzit që prej krijimit të tyre prej tij. Vizitoi shumë vende e nuk u ndie rehat teksa shihte që gjithçka kishte ndryshuar kaq shumë, por gëzimi dhe habia e tij ishin të mëdha kur erdhi në Shqipëri e pa se gjithçka kishte mbetur ashtu siç e kishte krijuar ai, Zoti."

Nuk do të ndalesha në mungesën e koherencës logjike të anekdotës, por në atë çka mendoj si më të rëndësishme: mendësisë. Mendësisë së bashkëqytetarëve tanë se asgjë nuk ka ndryshuar, jo më konfrontuar me regjimin e shkuar, por me vetë zanafillën e krijimit. Sigurisht, më erdhi keq për këtë, por në të njëjtën kohë mendova se në pavarësi prej historisë së rëndë që mban mbi shpinë vendi ynë, shprehja më e mirë e së cilës është diktatura e ashpër, dhe ngjarjet që e kanë pasuar në këta vjet, përfshi një 97, pse jo edhe një 98. Sërish qytetarët tanë patën guximin dhe qytetarinë me shumë se një herë të shfaqin pakënaqësinë e tyre.

Ajo çka me shqetëson së tepërmi është se në varësi të ndryshimit të perceptimit të popullor për të drejtën për të kërkuar ndryshime, në një shoqëri që po i shtrëngon masivisht. Paria drejtuese refuzon të pranojë kontestimin publik, duke e kthyer refuzimin në një kulturë po aq arrogante sa dhe refuzimi në një vend totalitar.

Të premten manifestimi i mijëra qytetarëve tregoi qartë se ata ishin të pakënaqur prej situatës, duke sendërtuar kështu dukshëm një qëndrim të kundërt me atë të përkrahësve të forcës në pushtet. Çdo qëndrim i kundërt brenda shoqërisë, i aftë që të arrijë ti polarizojë individët në grupime thellësisht antagoniste, është një ndasi me rrjedhime të jashtëzakonshme, të cilat mund të destabilizojnë situatën politike në vend.

Sigurisht, me gjasa shumë do ta alokojnë situatën e trazuar me mungesën e stabilitetit dhe me vendimet e opozitës. Edhe në qoftë kështu Shqipërisë nuk i duhet një stabilitet që nënkupton qëndrimin e një qeverie sa më gjatë në pushtet, por një formë e tillë stabiliteti, që vjen me respektimin e votës së lirë, institucioneve të lira dhe demokratike.

Ajo çka duhet të kuptojnë qeverisësit tanë është se grumbullimi në dy pole i disa grupeve thellësisht antagoniste vë në rrezik jetën e çdo sistemi. Polarizimi i skajshëm është ai që i ka çuar shpesh mjaft regjime në shembje, në grusht shteti ose luftë civile, shijen e kësaj të fundit gati e provuam këtë të premte.

Gjasat që pozita të tolerojë e mirëkuptojë opozitën lidhen ngushtësisht me rënien e kostos së pritshme të këtij tolerimi, por sa më i madh të jetë konflikti midis qeverisë dhe kundërshtarëve, aq më e lartë do të jetë kostoja që do të paguajë çdo palë që toleron tjetrën.

Por kostoja e tolerimit prej opozitës është një kosto faktike, ndoshta edhe më e rëndë se kostoja e mostolerimit të saj, madje edhe vetë pozita duhet të ndërgjegjësohet e të ridimensionojë vlerën e kostos oportune të vendimeve të fundit. Sidomos në ato rrethana kur ajo pozicionohet në shtypësen e kontestimeve të opozitës, sepse, sado i kushtueshëm të jetë tolerimi, represioni mund të kushtojë më shtrenjtë e të kthehet në një budallallëk të madh.

Qeveria e përligj ekzistencën e saj, legjitimon veprimet dhe shfaqet si garantuesja e rendit demokratik. Nga një këndvështrim i shpejtë me natyrë juridike, kuptojmë se ky legjimitet i vjen prej kontratës së famshme të përfaqësimit që nënshkruajmë teksa votojmë, por së fundi po rezulton të jetë një kontratë zotërimi, po aq e pakthyeshme sa një pakt me djallin, ndaj jo sepse i projektoj bindjet e mia nën një ngjyrë apo një tjetër, por sepse refuzoj të jem palë e një marrëveshjeje të pakthyeshme zotërimi, uroj që bashkëqytetarët tanë të mos harrojnë çndodhi të premten e datës 21 të këtij muaji, e ndërgjegjësimi qytetar për domosdoshmërinë e një shoqërie demokratike të hyjë në skenën politike si një manifestim qytetarie, që nuk lë vend për keqkuptime.

 

 

 

 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›