E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misteret e pambarimësisë te vepra e piktorit Muhamet Mahilaj

26/01/2011  Piktori Muhamet Mahila dhe mbarë brezi të tij u futën në botën e artit bash në kohën kur mjedisi dhe hapësira jetike rreth tyre ishin armiqësorë ndaj çdo forme të origjinalitetit dhe ndaj mënyrave personale të perceptimit, konceptimit e krijimit, për vetveten dhe gjithësinë.

Bëhet fjalë për kohët më të errëta të obskurantizmit komunist, kur në fushëbetejën e artit ndesheshin dy forca: dogma zyrtare socrealiste, nga njëra anë, dhe shpirtrat e lirë të kërkimtarëve që endeshin si refugjatë në Shqipërinë e mbyllur hermetikisht, nga ana tjetër. Mahila, që në vitet e studimeve akademike i takonte shpirtrave dhe krijuesve antikonformistë. Që në hershmëri të formimit dhe krijimit, ai u orientua kah hapësirave dhe vizioneve të reja, në kërkimet për çlirimin e formave shprehëse.

Në vitet 80-të krijimtaria e Mahilës dhe e bashkëmendimtarëve të tij ndodhej e përmbytur..., në pamundësi për të shprehur orientim të saktë dhe unitet stilistik.

Mahila e njohu dhe ua provoi të gjithëve ndriçimin e tij personal vetëm pas viteve 90-të, kur emigroi në Itali.

Kontakti me gjithëkohësinë në arte dhe sidomos me arritjet e shekullit XX, u pasqyruan me ndikim të dukshëm në krijimtarinë ku gjendjet dinamike dhe ritmet e çliruara bëhen lajtmotiv i veprës së tij. Ai zhytet në të vërtetat e brendshme dhe e çliron imazhin nga dukja e jashtme. Kësisoj lakuriqësia e gjendjeve bëhet tipar thelbësor i veprës. Falë aftësive dhe bagazhit teknik të konsiderueshëm, arriti të realizojë dhe më pas të emetojë lirshëm gjendjet e kondensuara, duke na sjellë në jetë vlimet e tij të brendshme, ku ngjyra bëhet protagoniste dhe ku nën sistemin “vorbull” ai ngjyron kumtet enigmatike.

Humbja në pavetëdije dhe kah misteri bëhet shkak për transformimin e tablosë së tij piktorike. E në këto përpjekje për të gjetur ekspresionin artistik, depërton në dilemat para udhëkryqeve të ardhmërisë, që thelbësojnë shpirtin dhe mendjen e njeriut modern..., lidhur me fatin e tij e të shoqërisë së cilës ai i përket. Kjo tendencë shihet në portretizimin dhe përfaqësimin që piktori i bën figurës njerëzore, të cilën e pajis me një përgjegjësi të re, në kundërshtim me njeriun-manekin, pa fytyrë dhe pa ndërgjegje.

Kështu njeriu tek krijimet e tij bëhet simbol i ndjeshmërisë së skajshme. Pra, ai lë përfundimisht pas manierën pllakateske të njeriut prototip-stampë. Dinjiteti artistik i arritur nëpërmjet lirisë në përgjithësi dhe asaj krijuese në veçanti, i jep identitet krijimtarisë së Mahilës dhe i zgjeron hapësirën dhe rrugën për imazhe të reja. Kësisoj ai prek thelbin e ekzistencës së artit dhe zhytet në misteret e pambarimësisë; pa diktat të mendimit; i pavarur nga ndonjë ndikim apo preokupim estetik... ky proces nënkupton se i është hapur rruga për imazhe të reja, dhe në vetëdijen e tij njohëse e krijuese, e ndërgjegjshmja dhe e paraditura janë mohuar.

E pandërgjegjshmja në art drejt enigmës së krijimit, është natyrë e pastër dhe, sikurse vetë natyra, i derdh me bollëk dhuratat. Kësisoj rastësia shndërrohet në mjet të kompozimit piktural; vizioni artistik çlirohet nga çdo lloj dogme..., dhe piktura e tij ngarkohet me furi emocionale të pakufizuar. Kuadrateve të tij piktorike, dukshëm u mungon struktura: ato janë pothuajse kaotike..., por një llavë e zjarrtë ngjyrash, linjash e planesh i pushtojnë ato, duke krijuar impresionin e paqetësisë dhe ankthit metafizik..., si një shpirt i natyrës, që dihat...

Ndryshimi dhe diversiteti bëhen baza për zhvillimin e kreativitetit të këtij piktori.

Diversiteti i qëndrimeve të tij ndaj të njëjtit faktor, objekt, apo ndaj të njëjtave ide, krijon bashkëshoqërime të pasura... Refleksion ky i shpirtit të tij të trazuar, që nuk prehet..., plot shqetësim dhe gjithmonë në kërkim!

E në këtë zinxhir të gjatë të karaktereve njerëzore dhe fakteve që pohojnë të vërtetat sipas tij, prekim dhe njohim qëndrimet, botë, ndjesinë dhe botëkuptimet që karakterizojnë “Un”-in dhe natyrën selektive që ai pohon në këtë kaos, ku individualet bëhen pjesë e universales... dhe anasjelltas.

Mahila kërkon ta bindë shikuesin se bota, (si ajo reale, ashtu dhe ajo ireale), përmban burime të pafundme..., të vërteta dhe bukuri të pazbuluara ende...

Tablotë e tij janë të organizuara nën këto rite vizuale, që na japin pamjen e qartë të kompleksitetit të sistemit të tij pamor.

1. Figura që spostohen nën sfonde statike, duke deformuar hapësirën...

2. Mbivendosje të formave të ndryshme, që bëjnë të duken afër apo larg, duke dendësuar apo distancuar pika dhe linja..., duke alternuar zona të qarta dhe të errëta mbi sipërfaqe..., për të krijuar efekte të relievit dhe thellësisë.

E në këtë thellësi, futen figura të kufizuara nga linja dyfishe.

3. Në kompozimet e tij del në pah shkëndijimi dhe reflektimi i dritës, që na shfaqet si të eksplodonte nga errësira.

Tek ai ndeshim kompozime me ritme të alternuara koloristike dhe grafike, thellësisht dinamike, me linja-forcë, të pjerrëta e të thyera, dhe josimetrike. Me pesha të vendosura lart, e që komunikojnë ndijime të dhimbshme.

4. Figura dhe format në tablotë e tij shfaqen në kundër-dritë, e ku dominojnë ngjyra të thella dhe kontrastet e dritës, të shpërndara në mënyrë kaotike..., që na sugjerojnë hapësira të mbyllura dhe mbytëse.

5. Pamjet rezultojnë me ekspresivitet të fortë dhe kumbuese, të ndara me sfondin dhe pothuajse të privuara nga sfumaturat..., me kontrast maksimal grafik e koloristik..., ku gjithçka transfigurohet në realitete enigmatike.

E gjithë kjo bashkësi e dëshmive vizive dhe e skemave të tij të organizimit, kanë gjetur mënyra dhe mjete origjinale, por të vështira për tu perceptuar pa u thelluar mbi to. Ato zotërojnë një fuqi, e cila të imponohet me shpejtësi, dhe kësisoj metafora bëhet lajtmotiv i pamjes. E në këtë përzierje emotive dominon efekti “surprizë”. Pamja të tërheq, sepse paraqet marramendshëm alternime dhe çiftëzime të pazakonshme, situata paradoksale dhe absurde.

Në tablotë e tij piktorike vërejmë dy tipe të kompozicionit: të tilla të ndërtuara me figura që e mbushin pamjen e ku sfondi humbet, dhe; kompozime ku hapësira boshe rrethon gjithë qendrën, duke na përqasur gjendje ku emetohet vetmia.

Mahila, ky kërkimtar i risive, me muzat e tij të shfrenuara i jep kuadratit trajtat ku humbet kuptimi i veprave piktorike thjesht si mall që shitet e blihet, kuadrate këto që shndërrohen në hapësira ku derdhet mushti i të vërtetave, sipas tij...

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›