Papa: Në Kishë, e vetmja rrugë për të përparuar është shërbimi e jo pushteti
Për të krishterët, të përparosh do të thotë të përulesh, siç bëri Jezusi. Kështu tha dje Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Të pranishëm, disa punonjës të Radio Vatikanit, ndërmjet të cilit edhe ne, të programit në gjuhën shqipe.
Jezusi u flet dishepujve për Mundimet që e presin, ndërsa ata janë të zënë me diskutime se kush është më i madh ndër ta. Episodi i hidhur, që tregohet në Ungjillin e sotëm, i dha Papës shkas për të reflektuar mbi pushtetin e shërbimin. “Lufta për pushtet në Kishë - vërejti – nuk është e këtyre ditëve… filloi pikërisht në kohën e Jezusit”. Por, Ungjilli i Jezusit nënvizon se lufta për pushtet në Kishë nuk duhet të ekzistojë, pasi pushteti i vërtetë, ai që Zoti vetë na ka mësuar me shembullin e tij, është “pushteti i shërbimit”: “Pushteti i vërtetë është shërbimi. Ashtu siç bëri Ai, që erdhi jo për t’u shërbyer, por për të shërbyer, e shërbimi i Tij ishte pikërisht shërbimi i Kryqit. Ai, Jezusi, u përul deri në vdekje, në vdekjen në Kryq, për ne, për të na shërbyer neve, për të na shëlbuar neve. E në Kishë, nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara. Për të krishterin, të ecësh përpara, do të thotë të përulesh. Nëse nuk e mësojmë këtë rregull të krishterë, kurrë, kurrë nuk do ta kuptojmë mesazhin e vërtetë të Jezusit për pushtetin”.
Të ecësh përpara, të përparosh, shtoi Ati i Shenjtë, do të thotë të përulesh, të jesh gjithmonë në shërbim të të tjerëve. E në Kishë, është më i madh pikërisht ai, që shërben më shumë: ky është rregulli. Pavarësisht nga kjo, pohoi Papa Françesku, që nga zanafilla e deri më sot, ka pasur e ka “luftë për pushtet brenda Kishës”, madje, kjo duket edhe në mënyrën e të folurit: “Kur ndonjërit i japin një detyrë, që sipas syve të botës, është e rëndësishme, thuhet: ‘Ah, filanja u promovua në kryetare të asaj apo kësaj shoqate, ose filani u promovua, u ngrit në detyrë…”. Kjo folje, promovoj: po, është folje e bukur, duhet përdorur në Kishë. Po: filani u promovua me Kryq, fisteku u promovua me përulje. Ky është promovimi i vërtetë, ai që i ngjan më mirë Jezusit!”. Papa kujtoi shën Injacin e Lojolës, i cili, në Ushtrimet e tij Shpirtërore, i kërkonte Zotit të Kryqëzuar “hirin e përuljes, të poshtërimeve”. Ky, tha sërish Ati i Shenjtë, është “pushteti i vërtetë i shërbimit të Kishës”. Kjo është udha e vërtetë e Jezusit, promovimi i vërtetë, ngritja e vërtetë në detyrë: “Udha e Zotit është shërbimi: ashtu si shërbeu Ai, edhe ne duhet t’i shkojmë pas, udhës së shërbimit. Ky është pushteti i vërtetë në Kishë. Dua sot të lutemi për të gjithë ne, që Zoti të na japë hirin për ta kuptuar këtë: pushteti i vërtetë në Kishë është shërbimi. E, edhe për ta kuptuar atë rregull të artë, që Ai na mëson me shembullin e Tij: për të krishterin, të zhvillohesh, të përparosh, do të thotë të përulesh, të përulesh. T’ia kërkojmë këtë hir”.
Përgjigje e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit për një “ekzorcizëm” të Papës Françesku/Gazetarëve, madje edhe atyre katolikë, u ka dalë punë me një video, ku shihet Papa Françesku, që përshëndet të sëmurët, gjatë meshës të së dielës, 19 maj. Për njërin prej tyre - ndërsa meshtari që e shoqëronte i fliste - Ati i Shenjtë ndalet më gjatë, i vendos duart mbi kokë dhe lutet intensivisht. Kjo lutje u interpretua si “ekzorcizëm” i Papës, për të nxjerrë shpirtrat e ndytë jashtë të riut në karrocë, ashtu siç bënte Jezu Krishti e siç u dha pushtet të bënin edhe apostujve të vet. Ndërkaq, sot, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, saktësoi se nuk ishte aspak fjala për ekzorcizëm, por për një lutje të Papës për një të sëmurë, që iu paraqit nga meshtari. Gjë, që e bën gjithmonë.