E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti Studenti, 2 mijë e 800 aplikime, mbipopullohen godinat e femrave

Më shumë se 2 mijë e 800 aplikime janë marrë nga Qyteti Studenti, nga studentë të vitit të parë, duke krijuar rrezikun e mbipopullimit të qendrës më të madhe të akomodimit të studentëve në vend. Drejtori i këtij institucioni, Bujar Borovina, thotë se disa godina, sidomos ato të vajzave, do të jenë të mbipopulluara, sidomos pas regjistrimit të studentëve të viteve të dyta e më lart, që kanë jetuar në QS edhe vitet e kaluara. Ai tregon se disa nga dhomat e vajzave do të jenë katërshe.

Mbipopullimi

Në total, deri tani në Qytetin Studenti janë paraqitur 2 mijë e 800 aplikime nga studentët e viteve të para. Qyteti Studenti ka kapacitet prej 6400 vendesh, ndërkohë që aplikimet pritet të jenë në limitin e kapacitetit pas regjistrimit të studentëve që kanë jetuar në këtë qendër vitet e kaluara. Drejtori i këtij institucioni, Bujar Borovina, duke folur dje për mediat, theksoi se problemi më i madh është për vajzat, pasi ato përbëjnë edhe shumicën e aplikantëve.

“Do të ketë dhoma me katër vajza, pasi aplikimet janë të shumta dhe nuk kemi kapacitetin e mjaftueshëm”, – tha z. Borovina, duke treguar se për sa i përket djemve, nuk do të ketë problem, pasi numri total i tyre është i vogël në krahasim me dhomat e vëna në dispozicion. Në të njëjtën kohë, drejtori i Qytetit Studenti premtoi se do të gjendet zgjidhje që të gjithë aplikantët të hyjnë në bujtinat e institucionit, në mënyrë që të plotësohen të gjitha kërkesat e paraqitura.

Regjistrimi

“Studentët që i përkasin TS-1 sh, viti i parë dhe studentët viti 2-6 të afishuar në listë, pasaporta të shpallura në çdo bujtinë për vitin akademik 2008-2009 për regjistrim e strehim në bujtina, do të regjistrohen pranë bujtinave”, – përcakton Drejtoria e Qytetit Studenti. Dokumentet e nevojshme për regjistrim do të jenë certifikatë me fotografi personale e 3 muajve, korrik–tetor 2008, 3 fotografi, vërtetim nga fakulteti ku ndjek studimet, i firmosur e i vulosur dhe raport mjekësor. Ndërkohë që për mënyrën e pagesës ajo do të kryhet në metoda të ndryshme.

Kështu, studentët që do të regjistrohen për herë të parë në Qytetin Studenti, do të duhet të kryejnë pagesën me lekë në dorë pranë bujtinave përkatëse, ndërkohë që studentët që kanë qenë të regjistruar vitet e kaluara, pra për ata që janë në vit të dytë, të tretë, të katërt, të pestë ose të gjashtë, pagesa do të bëhet në llogaritë bankare të QS-së, në Bankën Kombëtare Tregtare ose në Banca Italiana di Svilupo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›