E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e moshimit, Shqipëria drejt plakjes

Në vitin 2020, 15 për qind e popullsisë në vendin tonë do të jetë mbi 65 vjeç, në ndryshim nga 10 për qind që janë aktualisht. Kjo ka bërë që Ministria e Punës të hartojë një strategji afatmesme për moshën e tretë, drafti paraprak i së cilës u prezantua dje në Ditën Ndërkombëtare të Moshës së Tretë. Strategjia e re parashikon mbështetjen e të moshuarve, të cilët për disa vjet do të kthehen në një kategori numerikisht të konsiderueshme në vend.

Strategjia

Strategjia e re do të tentojë të ulë varfërinë e të moshuarve dhe njëkohësisht të rrisë përkujdesjen shtetërore ndaj atyre që nuk janë të aftë t’i shërbejnë vetvetes. Burime nga Ministria e Punës bënë të ditur se në këtë strategji do të parashikohet edhe rritja e të ardhurave.

“Situata aktuale sociale, ekonomike, shëndetësore e personave të moshuar, ku shifrat statistikore flasin për një nivel të lartë te varfërisë në këtë target grup, për të ardhura të pakta që nuk mbulojnë shpenzimet për minimumin jetik, për një numër të kufizuar të institucioneve të përkujdesit social, rezidenciale dhe ditore, publike dhe jopublike dhe me një shtrirje të kufizuar territoriale”, – deklaroi Ministria e Punës, duke theksuar se janë pikërisht këto probleme që pritet të gjejnë zgjidhje me anë të kësaj strategjia.

“Megjithëse Shqipëria ka popullsinë më të re në Evropë, përqindja e popullsisë mbi moshën 60 vjeç është në rritje graduale. Parashikohet që ajo të përbëjë 12.2 për qind të popullsisë deri në vitin 2010 dhe në 2020 kjo moshë parashikohet të përbëjë rreth 15% të popullsisë së përgjithshme nga 9.4 për qind që zinte në vitin 2000”, – deklaroi ministria.

Berisha: Më shumë lekë xhepi

Strategjia, të cilën do të mund ta lexoni të detajuar në gazetën “standard” ditët në vijim, është prezantuar në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. Dje, në të gjithë vendin janë kryer aktivitete për të nderuar të moshuarit. Në Tiranë është përuruar rindërtimi i azilit të të moshuarve, aktivitet në të cilin ishte i pranishëm Kryeministri Berisha dhe ministri i Punës, z. Kosta Barka.

“Shfrytëzoj rastin për t’i siguruar të moshuarit në Shqipëri se në axhendën e qeverisë sime ata janë dhe do të mbeten një përparësi madhore. Dy vjet më parë ata linin në shtëpitë e kujdesit 80 për qind të pensionit të tyre, ndërsa ne e zbritëm në 50 për qind dhe kjo kuotë do të zbritet sërish”, – deklaroi Kryeministri. “Financimet për këto qendra dhe shërbime janë rritur dhe ato janë decentralizuar. Por, duhet të lëvizet në dy drejtime; së pari qeveria, e cila pavarësisht se ia ka deleguar kompetencat qeverive vendore, do të rrisë fondet në mënyrë që kushtet e jetës për të moshuarit të jenë sa më normale. Dhe së dyti, ka një rendësi të jashtëzakonshme lidhja e këtyre qendrave me komunitetin”.

Ndërkohë ministri i Punës, Kosta Barka, u përqëndrua te decentralizimi i shërbimeve.

"Këto tre vitet e fundit është punuar për të zbatuar politika të reja të shërbimit për të moshuarit, duke u udhëhequr nga strategji që synojnë decentralizimin e shërbimeve, shtimin e rrjetit të shërbimeve ditore, komunitare dhe alternative”, – deklaroi ai.

Rama: Të ndryshojë politika e vjetër

Sakaq, kryetari i opozitës, Edi Rama, u takua me pensionistë në njësinë bashkiake numër 5 në Tiranë. “Duhet të ndryshohet tashmë politika e vjetër, në mënyrë që të shërbehet dhe jo të rrëmbehet, të ketë një vizion të qartë të politikave qeverisëse ndaj kësaj kategorie shoqërore që është lënë në harresë”, - tha Rama në këtë takim, duke u shprehur edhe vetë personalisht borxhli ndaj kësaj kategorie.

Ai u shpreh ndër të tjera se "këtë borxh të pashlyeshëm që kemi ndaj jush, ne gjenerata e re, përmes një politike të re, mund ta zbusim për të bërë shumë çka nuk është bërë”.

1 tetori është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve. Gjatë kësaj dite, në mbarë botën zhvillohen aktivitete në nderim të moshës së tretë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›