E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Më shumë privatë në arsimin e lartë

Mbështetje të vazhdueshme sektorit privat në arsim ka premtuar Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Ai kërkoi që të nisë procesi i akreditimit të universiteteve publike dhe private në vend, ndërkohë që i kërkoi ministrit të Arsimit, z. Fatos Beja, që të vijojë politikën qeveritare të liberalizimit të tregut arsimor, por edhe të kontrollit të tyre.

Kryeministri Berisha tha se linja politike e ndjekur nga qeveria e tij për pjesëmarrjen e sektorit privat në arsimin e lartë nuk do të ndryshojë dhe se kjo politikë do të vijojë të instrumentalizohet, duke lënë të nënkuptohet se do të licencohen universitete të tjera private. Por, për ato ekzistueset, si private edhe publike, Kryeministri ka kërkuar që të kenë një cilësi të kontrolluar.

Mbështetje privatëve

“Dua të siguroj këtu se kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje në të ardhmen, për të zgjeruar pjesëmarrjen e sektorit privat në arsimin e të rinjve dhe të rejave në Shqipëri”, – theksoi Kryeministri Berisha, duke vijuar se qeveria që drejton nuk ka asnjë lloj paragjykimi ndaj arsimit privat.

“Cilësia është një kusht, por pavarësisht se nuk merrem me asnjë lloj paragjykimi, duhet të vlerësohen si publiket dhe privatet. Por këtë nuk duhet ta shtyjmë, sepse është e domosdoshme dhe se ne e kemi linjë shumë të rëndësishme politike, pjesëmarrjen e sektorit privat në arsim dhe në këtë mënyrë nuk tërhiqemi prej saj”, – theksoi kreu i qeverisë.

Kontrolli i universiteteve

Duke iu drejtuar ministrit të Arsimit, z. Fatos Beja, Kryeministri deklaroi se duhet të nisë shumë shpejt procesi i akreditimit të universiteteve. Ai tha se ministria duhet sa më shpejtë të kontraktojë kompaninë përkatëse.

“Zoti Beja edhe njëherë kërkoj nga ju kontraktimin e kompanisë së vlerësimit të gjitha universiteteve publike dhe private. Ky është një detyrim madhor ndaj të rinjve dhe rejave që shkollohen në këto universitete”, – tha kreu i qeverisë, ndërkohë që paralajmëroi se rezultatet e akreditimit do të analizohen me eficencë, duke krijuar konkurrencë në radhë të parë mes universiteteve.

“Pas vlerësimit do të përcaktojmë hapa të tjera të rëndësishme për të analizuar me efiçencë këtë qëllim. Pra krahas njohjes, zgjerimit të kompetencave, ne duhet të bëjmë reitingun e tyre siç e bën çdo vend. Prandaj le të hapim sa më shpejt tenderin për të kontraktuar kompaninë që do të bëjë reitingun”, – tha Berisha.

Procesi i akreditimit të universiteteve është kërkuar nga të gjitha universitetet në vend, si publike edhe private.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›