Dollapi: OSSH përmirëson treguesit, probleme borxhi institucioneve
Në prag të privatizimit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka përmirësuar ndjeshëm treguesit, duke rritur dukshëm arkëtimeve, si familjare dhe private dhe nga ana tjetër duke ulur në nivel të kënaqshëm nivelin e humbjeve. I vetmi shqetësim që mbetet deri më tash për drejtuesit e OSSH-së është borxhi që i kanë institucionet shtetërore. Disa institucioneve janë debitorë ndaj OSSH-së në vlera të konsiderueshme. Nëse këto para do të ishin vlejë nga OSSH, treguesit e saj do të ishin rritur edhe më tej. Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes thirri dje në analizë drejtorët e 12 njësive zonale të OSSH-së, me qëllim për të analizuar treguesit për muajin shtator, ecurinë e 9-të mujorit, të vendosjes së matësve, realizimin e investimeve dhe remonteve, si dhe masat që do të merren për sezonin e dimrit për furnizimin sa më normal të konsumatorëve me energji elektrike. Z. Dollapi fillimisht vlerësoi punën e stafit të kompanisë, në të gjitha nivelet, që ka ndikuar pozitivisht edhe për privatizimin e suksesshëm të kompanisë. Në një raport paraprak të treguesve për shtatorin, drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi, tha se gjatë këtij muaji ritmi i punës vlerësohet i lartë. Lidhur me arkëtimet e pritshme për shtatorin, Dollapi tha se treguesit për familjarët janë 83 %, për privatët janë 100 %. Ndërsa treguesi i nivelit të humbjeve është më i miri. Humbjet për shtatorin janë 25 %. Dollapi tha se i vetmi mosrealizim i kompanisë është arkëtimi nga ndërmarrjet buxhetore dhe jobuxhetore. Nga ndërmarrjet buxhetore arkëtimi është rreth 90 %, nga ndërmarrjet jobuxhetore, ku përfshihen edhe ujësjellësit, treguesi i arkëtimeve nuk është i kënaqshëm. “Vetëm për Shtatorin, - tha drejtori Dollapi, - borxhi i ujësjellësve është rreth 200 milionë lekë (të reja). Sikur të ishte arkëtuar edhe kjo pjesë, atëherë treguesit e kompanisë për shtatorin nga 88-89 % do të shkonin në realizim 100 %”. Nga ana tjetër, zoti Dollapi tha se ishte i kënaqur me rezultatet e pritshme të 9-të mujorit. Duke iu referuar zërit të humbjeve në rrjet, zoti Dollapi tha se për 9-të mujorin është realizuar plani për të mbajtur të ulët nivelin e humbjeve, që shkon në 31.8 % nga 32 që është plani. Në këtë mënyrë, - u shpreh drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, - është realizuar një nga kushtet kryesore të qeverisë për kompaninë, e cila deri në fund të vitit duhet të mbajë në 32 % nivelin e humbjeve në rrjet.