E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurs ndërkombëtar për qendrën e Durrësit

Së shpejti në Durrës do të zhvillohet një konkurs ndërkombëtar për qendrën e qytetit. Bashkia e Durrësit ka shfrytëzuar punimet e “Sesionit të 10-të Plenar të Asamblesë së Qyteteve të Adriatikut dhe Jonit” për të hapur konkursin e ndërkombëtar për “Rivitalizimin e Qendrës së Qytetit të Durrësit”. Qendra e qytetit të Durrësit shtrihet në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. Në këtë pjesë sipas studimit urban të zonës A të qytetit, nuk lejohet ndërtimi i pallateve, por mund të kryhen vetëm restaurime, si dhe objekte për përmirësimin dekorativ apo punime infrastrukturore.

Vendimi

Në prani edhe të 50 kryetarëve të bashkive të qyteteve të cilat lagen prej deteve Adriatik dhe Jon, u bë i njohur vendimi i bashkisë për zhvillimin e qendrës së qytetit të Durrësit, sipas një studimi nga studio të huaja me përvojë në këtë fushë. Ka kohë që bashkia nr. 2 e vendit ka shpallur konkursin ndërkombëtar për zhvillimin e qendrës së Durrësit. Për realizimin e këtij projekti bashkia ka vënë në dispozicion 5 milionë euro, me të cilat do të realizohen punimet, të cilat do t’i parashikojë studioja fituese në planin e saj. Në mjediset e pallatit të kulturës “A.Moisiu” u deklarua nga kreu i bashkisë, Vangjush Dako, se “kanë qenë 400 studio arkitekture në shumë vende të botës të cilat paraqitën interesin e tyre për këtë projekt. Por dje vetëm 30 prej tyre tërhoqën dokumentet e nevojshme nga Bashkia e Durrësit”. Nga dita e djeshme këto studio janë në garë dhe brenda harkut kohor të një viti do të paraqesin projektet e tyre. Prej tyre do të përzgjidhen 5 dhe më pas do të përcaktohet studioja fituese. Bashkia nuk ka përcaktuar piketa për këtë projekt, por vetëm iu ka dorëzuar atyre planin e studimit urban të zonës A, ku përfshihet qendra e qytetit.

Qendra

Sipërfaqja e qendrës së Durrësit është 25 mijë metra katrorë. Ajo përfshin sheshin “Iliria”, si dhe territoret pas Pallatit të Kulturës “A. Moisiu” deri te Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave. Në këtë zonë nuk do të ketë ndërtime pallatesh, por vetëm restaurime objektesh, rrjet infrastrukturor modern, si dhe shtim të sipërfaqeve të gjelbëruara dhe objekte publike dekori. Këto janë përcaktuar në studimin e zonës A dhe i cili ka marrë miratimin e KRRTRSH-së vitin e kaluar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›