E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti Studenti, si të aplikoni për 6400 vende



Qyteti Studenti do të presë këtë vit 6400 studentë në më shumë se 20 godina që disponon. Lajmi është bërë i ditur nga drejtoria e këtij institucioni, i cili lajmëroi se janë duke u bërë rindërtime në disa godina, në mënyrë që kushtet për studentët të jenë më të mira. Drejtoria njoftoi se studentët që kanë qenë edhe vitet e kaluara në Qytetin Studenti do të kenë përparësi dhe procedura më të lehta regjistrimi, ndërkohë që studentët e rinj do të duhet të kalojnë kalvarin e plotësimit të dokumentacionit përpara se të marrin çelësin e “dhomës-shtëpi” të tyre të re.

Afatet

Studentët që kanë jetuar edhe vitet e kaluara do të mund të regjistrohen në Qytetin Studenti në çdo çast, duke paraqitur në godinën ku kanë banuar listë-pasaportën e tyre, të cilën e kanë marrë një vit më parë nga drejtoria e këtij institucioni. Më pas ata do të duhet të paguajnë kuotën e caktuar në bankë dhe të dorëzojnë vërtetimin e marrë nga banka në drejtori. Në këtë mënyrë, ata regjistrohen menjëherë.

Ndërkohë, për studentët që këtë vit do të hyjnë për herë të parë në universitet dhe për ata që nuk kanë jetuar më parë në Qytetin Studenti, procedurat dhe afatet do të jenë më të ndërlikuara. Ende nuk është përcaktuar asnjë afat për regjistrimet në Qytetin Studenti, pasi pritet që të shpallen fituesit në universitete, çka do të ndodhë në fillim të muajit shtator nga Ministria e Arsimit dhe nga universitetet. Pas shpalljes së fituesve dhe nisjes së procedurave të regjistrimit në departamentet përkatëse në universitete, do të përcaktohet edhe afati i regjistrimit në bujtinat e Qytetit Studenti.

Dokumentacioni

Për studentët që kanë jetuar një vit më parë në Qytetin Studenti, dokumentacioni i nevojshëm do të jetë vetëm listë-pasaporta e dhënë nga kjo drejtori një vit më parë, ku përcaktohet godina dhe dhoma ku ka jetuar studenti, një vërtetim që ai vazhdon studimet e larta dhe që nuk i ka ndërprerë ato, si edhe fatura e marrë nga banka, që vërteton se studenti i ka paguar detyrimet vjetore.

Ndërkohë, për studentët që do të aplikojnë për herë të parë për të banuar në qytetin studenti, do të duhet të paraqesin në drejtori, dokumentin e identifikimit, vërtetimin që janë regjistruar në një degë të Universitetit të Tiranës, fakulteteve të Universitetit Politeknik që mbulohen nga Qyteti Studenti ose Akademisë së Arteve, faturën që vërteton se kanë paguar kuotën e regjistrimit, si edhe një kërkesë me shkrim, ku deklarojnë se kanë dëshirë të banojnë në Qytetin Studenti.

Aplikuesit

Këtë vit aplikuesit për në Qytetin Studenti do të jenë 400 më shumë se një vit më parë, sipas drejtorisë së këtij institucioni. Ata që do të pranohen do të jenë studentë të viteve të para ose të regjistruar më parë në këtë institucion. Vendet e mbetura do të shpërndahen për studentët e viteve të tjera që nuk kanë qenë të regjistruar më parë. Ndërkohë, në Qytetin Studenti ekzistojnë edhe dy godina për familjarë, si edhe dy godina private.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›