E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër; Djegia e nënstacionit, 30 mijë banorë pa drita

Përfshirja e nënstacionit të Rrencit dy ditë më parë nga flakët ka bërë që 30 mijë banorë që furnizoheshin me energji prej tij të ngeleshin në terr. Banorët e fshatrave të Shkodrës dhe një pjesë e qytetit që furnizohet me energji nga nënstacioni i Rrencit janë në terr prej dy ditësh. Pas problemit në nënstacion, si pasojë e një shkëndije elektrike, vijon puna për riparimin, por ende nuk është gjetur zgjidhja. Për pasojë plot 30 mijë banorë të fshatrave Rrenc, Juban, Guri i Zi, Bardhaj e të tjerë janë pa energji elektrike. Aktualisht ekipi special ka mbërritur dhe po punon në nënstacion për riparimin e defektit. Mësohet se po punohet për heqjen e pajisjeve të djegura dhe zëvendësimin e tyre. “Në vend po punon divizioni i linjës së tensionit të lartë nga Burreli dhe Shkodra”, - thonë burimet zyrtare, por nuk përcaktojnë një afat final për përfundimin e punës dhe rikthimin e energjisë. Sipas tyre, do të punohet pa ndërprerjes që sot të vijë energjia elektrike në zonë, ndërsa pranojnë që ka qenë një defekt në linjën e tensionit, kur një shkëndijë elektrike i ka vënë flakën kabinës në Rrenc, duke dëmtuar pajisjet. Zjarri u konstatua mëngjesin e dy ditëve më parë dhe u vu shpejt nën kontroll, por pasojat e tij lanë pa drita banorët e zonës. Fatmirësisht, për shkak të ndërhyrjes në kohë, mundën t’i shpëtonin djegies dy transformatorë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›