E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhi i Durrësit; Çdo ditë, 90 mijë pushues

Dhjetëra mijë pushues i janë drejtuar dje paradite plazhit të Durrësit për të shijuar banjot e ujit dhe të diellit. Shiu i lehtë i natës së kaluar nuk i ka penguar pushuesit ditorë të ardhur kryesisht nga Tirana, që të kalojnë disa orë pushimi në plazhin më të madh të vendit.

Drejtori i ndërmarrjes së komunales në plazh, Ali Karaj, tha për se "pushuesve ditorë nga zona përreth u shtohen afro 2000 të tjerë nga Kosova, të cilët kanë mbërritur me autobusë gjatë fundjavës". Sipas tij, temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë populluar si asnjëherë tjetër gjatë këtij sezoni veror hapësirën e plazhit, në një gjatësi prej 3.4 km nga ura e Dajlanit deri në sektorin Iliria.

Plot 65 punonjësit e kësaj ndërmarrjeje punojnë 17 orë gjatë ditës për të pastruar të gjithë territorin e rërës prej 17.2 ha, ku çdo ditë pushojnë mesatarisht 80-90 mijë plazhistë, ndërsa numri i tyre në fundjavë dyfishohet. Karaj thotë se edhe sot plazhi është i tejmbushur, me gjithë vranësirat dhe temperaturat më të freskëta të paradites.

Sipas tij, në zonën e pallateve të reja dhe të banesave të lagjes nr. 13, siç emërtohet rajoni administrativ i plazhit janë vendosur 175 kazanë-kontejnerë, të cilët zbrazen dy herë në ditë, ndërsa që nga fillimi i muajit maj janë evaduar mbi 9 mijë metër kub leshterikë dhe mbeturina të tjera. Katër kamionë dhe tre automjete agregate për pastrimin janë në dispozicion të zonës më të populluar të vendit tonë në këtë stinë të vitit.

"Volumet e punës këto ditë kanë qenë mjaft të larta”, - tha Karaj, sipas të cilit plazhi bën një jetë intensive “non stop”. Pub-et dhe klubet qëndrojnë të hapura deri vonë dhe këngëtarë të ftuar nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë i japin gjallëri plazhit edhe në orët e natës.

Karaj shton se struktura që ai drejton bashkëpunon ngushtë me policinë e rendit dhe seksionin e qarkullimit rrugor. “Numri i madh i automjeteve që lëvizin në segmentin Ura e Dajlanit-Plepa prej 4.3 km dhe që më pas vazhdojnë drejt plazheve të Shkëmbit të Kavajës, Golemit dhe Malit të Robit krijojnë mjaft vështirësi në qarkullim, veçanërisht në fundjavë”, - tha Karaj, sipas të cilit nga fillimi i muajit gusht numri i pushuesve ka ardhur duke u shtuar falë edhe temperaturave të larta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›