E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjaku, i infektuar Qendro: Përgjegjësi e mjekëve, mungon higjiena

Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë kanë deklaruar se menjëherë pasi janë njoftuar për infektimin e fëmijës trevjeçar nga Fieri, ka nisur hetimi i rastit

Infektimi i fëmijës trevjeçar nga Fieri me hepatit C, pasi ka kryer transfuzionin e gjakut, ende mbetet pa përgjegjësit përkatës. Secila nga palët e përfshira në këtë debat ka nxjerrë justifikimet e radhës.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, ka deklaruar se infektimi i gjakut ka ardhur si shkak i mungesës së higjienës të bluzave të bardha dhe jo siç pretendojnë ata nga mungesa e sigurisë së gjakut të dhuruar në bankat e gjakut.

Mjekët - QKTGJ

Pas zbulimit të rastit, ku një fëmijë prej më se një viti rezulton të jetë infektuar me hepatit C mjekët e pavijonit të pediatrisë hematologjike deklarojnë se një ndër arsyet që përse mund të jetë infektuar fëmija është mungesa e sigurisë së gjakut.

Gjithashtu, mjekët e pediatrisë pranojnë se për shkak të mungesës së gjakut, fëmijës i është dhënë një nga nënproduktet e tij që është më i predispozuari për të transmetuar hepatite.

“Atë kohë mund të ketë pasur sërish probleme të mungesës së faktorit dhe është detyruar që të marrë krio që është më i predispozuar për të marrë hepatite. Probleme të tilla unë mendoj se fillojnë që nga qendra e grumbullimit të gjakut, pasi aty duhet të ketë kontroll të rreptë”, - shprehet Aurela Agolli, shefe e pediatrisë në QSUT.

“Në bazë të hetimit të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik vitin e kaluar në pacientët e politransfuzuar nuk ka pasur asnjë rast të infektimit nga gjaku me infeksione të tjera të transmetueshme përmes transfuzionit”, - shprehet Irena Qendro, drejtoreshë e QKTGJ-së.

Sipas mjekëve, fëmija është infektuar një vit më parë.

“Asnjë njësi gjak nuk kalon pa u kontrolluar, por risku zero nuk ekziston në vendin tonë dhe në asnjë vend të botës”, - thekson Irena Qendro, drejtoreshë e QKTGJ-së.

“Kemi mungesë të reagentëve të cilët mund të jenë të skaduar, me probleme teknike dhe që rrisin probabilitetin për një mossaktësim të gjakut”, - shprehet Aurela Agolli, shefe e pediatrisë në QSUT.

“Pasiguria e gjakut është një problem në të gjithë botën jo vetëm në Shqipëri dhe kjo është e lidhur me periudhën dritare dhe mostestimin e gjakut për agjentë infektivë. Në strategjinë kombëtare kundrejt transfuzionit të gjakut të sigurt është parashikuar që në vitin 2010 ne të mos kemi më dhënës me pagesë, por kjo do të bëhet duke shtuar dhuruesit familjarë ose vullnetarë dhe duke hequr dhuruesit me pagesë”, - ka deklaruar drejtoresha në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qëndro.

Ndërkohë që synim i kësaj qendre mbetet minimizimi i dhuruesve me pagesë brenda vitit 2010 dhe gjaku për transfuzion do të dhurohet nga vullnetarë, punonjës institucionesh, forcat e armatosura dhe familjarë, për të mbuluar të gjitha kërkesat e mjekësisë shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›