Dy të plagosur në aksidente, në pranga shoferët
TIRANE- Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë në dy aksidente rrugore që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet. Ndërkohë kanë përfunduar në pranga dy drejtuesit e automjeteve që janë përgjegjës për aksidentet. Ngjarja e parë ka ndodhur në rrugën “Xhorxh Bush”, pranë kryqëzimit me rrugën “Murat Toptani”. Një automjet tip “Volsvagen”, me targë TR 6377 R është përplasur me një motor tip “Piagio”, që drejtohej nga 47-vjeçari Valer Kullagini. Si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i motorit, Kullagini, i cili është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë specialistët e Hetimit të Aksidenteve Rrugore, pasi bënë matjet dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, arritën në përfundimin se aksidenti është shkaktuar nga shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën po drejtonte makinën 33-vjeçari Artur Pjetri, i cili u arrestua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Aksidenti tjetër ka ndodhur pranë Urës së Farkës, në afërsi të Mulletit. Dritan Shaba, 36-vjeç ka përplasur një kalimtare me furgonin e tij tip “Ford” me targa të huaja. Si pasojë kalimtarja, Valbona Burnocaka, 40 vjeç, e cila po kalonte rrugën nga njëri krah në tjetrin, ka mbetur e plagosur rëndë dhe aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Për të dy rastet policia tha se ka kryer veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe më pas dosjet penale i kanë kaluar Prokurorisë së kryeqytetit për ndjekje penale. Organi i akuzës pritet të zhvillojë ekspertimet dhe verifikimet e tjera, me qëllim saktësimin e rrethanave në të cilat kanë ndodhur aksidentet.